Karlo Ançeloti në konferencën e sotme për mediat para “El Clasico”, i është kthyer temës së “Topit të Artë” dhe fituesit potencial të këtij trofeu. Sipas teknikut italian të Realit, nuk ka më dyshime ë Vinicius është fituesi i këtij edicioni.
“Mund të themi se Vini do të jetë fituesi i ardhshëm i “Topit të Artë”, pa asnjë dyshim. Vinicius do të fitojë “Topin e Artë”, për mua është shumë e qartë dhe nuk mund ta fitojë askush tjetër’, tha tekniku italian për trofeun i cili dorëzohet të hënën.
“Të stërvitësh Vinicius do të thotë të stërvitësh një nga më të mirët në botë. Ai është një djalë shumë i përulur, ka bërë shumë progres si futbollist, duke u bërë një nga më të mirët në botë. Ai është “Topi i Artë” i ardhshëm dhe ka të njëjtën përulësi dhe seriozitet të ditës kur e kam njohur”, ishte vlerësimi i Ançelotit për sulmuesin i cili bëhet braziliani i parë që e fiton trofeun që kur për herë të fundit e fitoi Rikardo Kaka në vitin 2007, kur drejtohej pikërisht nga trajneri italian.