Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim Ministrin e Haxhit dhe Umres së Arabisë Saudite, Taufiq Bin Fauzan al-Rabiah.
Në fokus të këtij takimi ishin marrëdhëniet shumë të mira politike në interes të bashkëpunimit dhe të zhvillimit të një agjende dypalëshe, mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, si dhe mbështetja për njohje të reja të Kosovës.
Presidenti Begaj i shprehu Ministrit saudit të Haxhit dhe Umresfalënderime për ndihmën humanitare dhe financiare që Arabia Saudite ka dhënë ndër vite për Shqipërinë në momente të vështira.
Njëherazi, Kreu i Shtetit u shpreh për hapësirat që mund e duhet të shfrytëzohen për të rritur bashkëpunimin ekonomik, investimet direkte, si dhe mundësinë e vendosjes së një linje direkte mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite, gjë që do të ndikojë pozitivisht jo vetëm në numrin e turistëve, por edhe në shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.
Presidenti Begaj vlerësoi njohjen dhe mbështetjen e Kosovës nga Arabia Saudite, teksa kërkoi ndihmën për të zgjeruar numrin e këtyre vendeve.