Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi sot në Konferencën e Kryetarëve projektligjin “Për buxhetin e vitit 2025”, i miratuar nga Këshilli i Ministrave vetëm pak ditë më parë.
Në fjalën e tij, Ministri Malaj u shpreh se projektbuxheti i vitit të ardhshëm synon të mbështesë rritjen e qëndrueshme të ekonomisë dhe të vijojë konsolidimin fiskal, ndërsa një vëmendje e veçantë i është kushtuar financimit të Planit të Rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike sociale të vendit tonë me vendet e BE.
“Objektivat e projektbuxhetit 2025 janë ruajtja e parametrave makroekonomikë dhe fiskalë që garantojnë një rritje të qëndrueshme ekonomike në periudhën afatmesme si dhe financimi i politikave prioritare që mundësojnë integrimin sa më të shpejtë në familjen e Bashkimit Europian”, u shpreh z. Malaj.
Ministri tha se projektbuxheti 2025 tejkalon shifrën e 8 miliardë euro shpenzime publike të planifikuara dhe projekton vijimin e uljes së borxhit publik, duke u fokusuar tërësisht në mirëadministrimin fiskal pa prezantuar masa të reja fiskale.
Sipas z. Malaj, buxheti i vitit të ardhshëm do të zbatohet në përputhje të plotë me objektivat kryesore të politikës fiskale, duke synuar kufizimin e defiçitit të përgjithshëm buxhetor në 2.6% të PBB-së dhe ruajtjen e një bilanci primar pozitiv, me qëllimin vijimin e uljes së raportit të borxhit publik ndaj PBB-së, sipas pritshmërive aktuale nën nivelin 56% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ministri theksoi se për vitin 2025 parashikohet që ekonomia të rritet me rreth 3.9 %, ashtu si edhe në periudhën afatmesme, rritje që do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, konsumi privat dhe nga investimet totale në ekonomi.
Sa i përket të ardhurave buxhetore, projektbuxheti 2025 parashikon që ato të jenë në masën 754.6 miliardë lekë ose 28.8% e PBB, rreth 40.6 miliardë lekë më shumë se sa plani i rishikuar për vitin 2024.
Nga ana tjetër, shpenzimet e parashikuara për vitin e ardhshëm janë në masën 822.7 miliardë lekë ose 31.4% e Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje në vlerë absolute prej 51.4 miliardë lekë krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2024.
Ministri i Financave vuri në dukje se parashikohet vijimi i financimit të një vëllimi të konsiderueshëm investimesh publike prej mesatarisht 6.1% të PBB përgjatë 2025-2027, të cilat përqëndrohen në financimin e projekteve me rëndësi strategjike dhe të lidhura me Planin e Rritjes së BE.
Fjala e Ministrit të Financave, Petrit Malaj:
E nderuar Kryetare e Kuvendit,
Të nderuar Kryetarë të Grupeve dhe Komisioneve Parlamentare,
Projektbuxheti i vitit 2025 që vjen para jush për shqyrtim synon të mbështesë një rritje ekonomike të qëndrueshme si dhe të vijojë konsolidimin fiskal, me qëllim final uljen e borxhit publik. Në këtë projektbuxhet, një vëmendje e veçantë i është kushtuar financimit të Planit të Rritjes së Bashkimit Europian (BE) për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike sociale të vendit tonë me vendet e BE.
Projektbuxheti 2025 tejkalon shifrën e 8 miliardë euro shpenzime publike të planifikuara dhe në të njëjtën kohë projekton një borxh publik në ulje të vijueshme, duke u fokusuar tërësisht në mirëadministrimin fiskal pa prezantuar masa të reja fiskale.
Më lejoni t’ju paraqes në fillim një panoramë të përmbledhur të zhvillimeve kryesore makroekonomike dhe fiskale në Shqipëri.
Së pari, theksoj se ekonomia jonë ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme përballë një sërë goditjesh të njëpasnjëshme gjatë tre viteve të fundit, duke nisur nga tërmeti i nëntorit 2019, pandemia globale në vitin 2020 dhe së fundmi, ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit për shkak të luftës në Ukrainë.
Rimëkëmbja ekonomike vendase ka tejkaluar pritshmëritë tona fillestare dhe, më e rëndësishmja, fondamentet makroekonomike kanë dëshmuar një qëndrueshmëri të lartë gjatë gjithë kësaj periudhe sfiduese.
Ekonomia e vendit vijon të qëndrojë në një trend pozitiv zhvillimi edhe gjatë vitit 2024. Në gjysmën e parë të vitit, rritja ekonomike u zgjerua me 3.9% në terma vjetorë, në linjë me parashikimet tona aktuale për të gjithë vitin 2024. Tremujori i parë pati një rritje prej 3.9%, ndërsa tremujori i dytë u mbyll me një rritje edhe më të fortë prej 4.1%. Rritja përgjatë kësaj periudhe është gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet, si dhe nga ecuria mjaft e mirë e eksporteve të shërbimeve, në pasqyrim të një sezoni turistik mjaft pozitiv.
Të dhënat paraprake indirekte për tremujorin e tretë tregojnë për një qëndrueshmëri të rritjes ekonomike. Treguesit e ndjesisë ekonomike janë mbi mesataren historike, duke reflektuar rritjen e besimit të biznesit dhe konsumatorit për të ardhmen e ekonomisë.
Kemi rishikuar për sipër projeksionet tona për rritjen reale të këtij viti, në 3.9% nga 3.7% që parashikonim fillimisht rreth një vit më parë.
Tregu i punës gjithashtu ka pasqyruar këtë ritëm pozitiv. Në vitin 2023, punësimi u rrit me një mesatare prej 1.6%, ndërsa shkalla e papunësisë ra në nivelin më të ulët historik prej 10.7% në tremujorin e fundit. Pjesëmarrja në forcat e punës u zgjerua më tej, duke arritur në 75.1%, ndërsa norma e punësimit arriti në 66.7%. Këto shifra tregojnë se ekonomia jonë po krijon mundësi të reja pune dhe po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për forcën punëtore. Dinamika e pagave nominale dhe reale në pothuajse gjithë sektorët e ekonomisë e dëshmon gjithashtu këtë. Këto trende pozitive pasqyrojnë jo vetëm zgjerimin e mundësive ekonomike, por edhe aftësinë për të përballuar sfidat demografike me të cilat përballemi.
Sa i përket sektorit monetar, ashtu si shumë vende të tjera, edhe ne u përballëm me presione inflacioniste të ndjeshme gjatë vitit 2022 dhe në fillim të 2023, të nxitura nga konflikti në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë, të cilat çuan në rritjen e çmimeve për produktet ushqimore, energjinë dhe lëndët e para. Rrjedhimisht, patëm një rritje të ndjeshme të inflacionit, me normë vjetore që arriti kulmin në 8.3% në tetor të vitit 2022, niveli më i lartë që nga marsi 2002.
Megjithatë, dua të theksoj se, norma e inflacionit në vendin tonë mbeti vazhdimisht në nivele më të ulta se ajo e homologëve tanë në rajon dhe mesatarja e BE-së. Nga një mesatare prej 6.7% në vitin 2022, inflacioni ra në 4.8% në 2023 dhe më tej në një mesatare prej 2.3% për nëntë muajt e parë të vitit 2024. Kjo trajektore rënëse e inflacionit është ndikuar nga disa faktorë të rëndësishëm, duke përfshirë uljen e normave të inflacionit në partnerët tanë tregtarë, efekti i politikës monetare të kujdesshme, forcimi i monedhës vendase, si dhe uljen e pritjeve inflacioniste në ekonominë tonë.
Duke qenë se kursi i këmbimit pasqyron ndërveprimin e një sërë variablash dhe ekuilibrash makroekonomikë, dhe duke pasur një regjim të lirë të kursit të këmbimit, vlerësojmë se këto dinamika të kursit të këmbimit janë një tregues i qartë i një performance pozitive të përgjithshme të ekonomisë dhe në veçanti i dinamikës qartësisht forcuese të pozicionit të jashtëm të ekonomisë.
Këtu vlen të përmendim se deficiti i llogarisë korente u ngushtua në nivelin më të ulët historik prej 1.2% të PBB-së në vitin 2023, nga 5.9% në 2022, kryesisht falë perfomancës së shkëlqyer të sektorit të turizmit, me flukse hyrëse turistike që u rritën me 47% nga viti në vit, si dhe rritjes së remitancave.
Gjithashtu, kemi ruajtur një nivel të lartë të flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte, të cilat u rritën me 8.7% në 2023. Ky trend pozitiv ka vazhduar edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2024, me një rritje vjetore prej 8.1%.
Sa i takon fondamenteve makroekonomike të vendit tonë, financat publike dhe qëndrueshmëria e tyre afatgjatë janë padyshim një nga elementët më të rëndësishëm për strukturën makroekonomike të Shqipërisë, një ekonomi e vogël, e hapur, dhe me një borxh publik që, megjithëse është reduktuar ndjeshëm, kërkon ende një menaxhim të kujdesshëm dhe të matur.
Në këto vite sfidash, gjendja dhe qëndrueshmëria e financave tona publike ka qenë gjithnjë nën kontroll të plotë, dhe padyshim ky proces vijon të jetë i bazuar në një monitorim të vazhdueshëm dhe një menaxhim të kujdesshëm fiskal, duke adresuar me efikasitet çdo problematikë potenciale.
Falë masave të ndërrmara, kemi arritur progres të dukshëm në reduktimin e borxhit publik. Në vitin 2023, regjistruam një balancë primare pozitive, ndërsa raporti i borxhit publik ndaj PBB-së u ul ndjeshëm me 6.6 pikë përqindje krahasuar me vitin 2022, duke arritur në 57.5% – niveli më i ulët që nga viti 2008. Synojmë të vazhdojmë këtë trend pozitiv, duke ruajtur stabilitetin fiskal dhe duke konsoliduar financat publike për një ekonomi më të qëndrueshme.
Rezultatet tona të deritanishme janë reflektuar edhe në përmirësimet e vlerësimeve të kreditit për vendin tonë. Në prill 2024, S&P e ngriti vlerësimin e Shqipërisë nga “B+” në “BB-” dhe së fundmi, në tetor 2024, gjithashtu Moody’s e ngriti vlerësimin nga “B1, pozitive” në “Ba3, e qëndrueshme”. Këto janë dëshmi të besimit të tregjeve financiare ndërkombëtare në qëndrueshmërinë dhe drejtimin që ka marrë ekonomia shqiptare.
Për vitin 2025, buxheti do të zbatohet në përputhje të plotë me objektivat tona kryesore të politikës fiskale, duke synuar të kufizojë defiçitin e përgjithshëm buxhetor në 2.6% të PBB-së dhe të ruajë një bilanc primar pozitiv, me qëllimin për të vijuar uljen e raportit të borxhit publik ndaj PBB-së, sipas pritshmërive tona aktuale poshtë nivelit 56% të PBB .
Për sa i përket perspektivës ekonomike, në skenarin tonë bazë të programimit makro-fiskal për vitin 2025, parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.9%, me një konvergjencë graduale drejt normës potenciale prej 3.9% edhe në periudhën afatmesme. Kjo rritje do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet totale në ekonomi. Në të njëjtën kohë, presim që edhe kërkesa e huaj neto të kontribuojë pozitivisht, veçanërisht për shkak të rritjes së eksporteve, me një rol të veçantë të sektorit të turizmit.
Lidhur me risqet për periudhën afatmesme, ato mbeten përgjithësisht të balancuara dhe të menaxhueshme. Në tërësi vlerësojmë se perspektiva afatmesme e ekonomisë, sipas skenarit tonë bazë, mbetet përgjithësisht inkurajuese dhe vlerësojmë se ka probabilitet të lartë për t’u materializuar përgjithësisht në linjë më këtë skenar bazë.
Mbështetur në skenarin e mësipërm makroekonomik, po ju paraqes më poshtë parashikimet e të ardhurave dhe shpenzimeve të projektbuxhetit për vitin 2025:
Të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen në masën 754.6 miliardë lekë ose 28.8% e PBB. Krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen me rreth 40.6 miliardë lekë më shumë.
Të ardhurat tatimore 2025 në raport me PBB-në krahasuar kjo po me vitin 2024, parashikohen të rriten nga 26.3% e PBB-së në 27.1% e PBB-së ose 0.8% më shumë. Ky programim i të ardhurave tatimore mbështet objektivat e Ministrisë së Financave për rritjen e të ardhurave me qëllim mbështetjen e shpenzimeve publike për arsimin, shëndetësinë, mbrojtjen sociale, dixhitalizimin e shërbimeve publike, investimeve në infrastrukturë, bujqësi, energji dhe drejtime të tjera të cilat gjenerojnë zhvillim duke rritur konsumin dhe investimet.
Të ardhurat tatimore parashikohen të arrijnë në 709.8 miliardë lekë, dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat në 449 miliardë lekë, ndërkohë që të ardhurat nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësor, planifikohen të jenë 168.9 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2024, të ardhurat tatimore rriten me 0.6 % e PBB-së ose 54 miliardë lekë.
Të ardhurat nga tatimet dhe doganat dhe të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë projektuar bazuar në analizën e trendit historik shumëvjeçar të tyre, realizimit të pritshëm në vitin 2024 dhe faktorizimit të të gjithë elementëve që do ndikojnë në të ardhurat e vitit 2025 përfshirë efektet nga: rritja ekonomike, indeksi i çmimeve, si dhe të ardhurat shtesë nga mirëadministrimi.
Projeksionet e të ardhurave tatimore dhe kontributeve në buxhetin e vitit 2025, parashikojnë që impakti i rritjes nominale të ekonomisë së vendit në të hyrat buxhetore, krahasuar me bazën e programimit që është buxheti i ndryshuar i vitit 2024, të jetë 40.6 miliardë lekë të ardhura shtesë. Burimet kryesore të rritjes janë 15.2 miliardë lekë nga mirëadministrimi, 14.8 miliardë lekë të ardhurat shtesë nga rritja ekonomike dhe 9.2 miliardë lekë të ardhura shtesë nga efektet e politikave fiskale të ndërmarra vitet e mëparshme si dhe efektet e politikave buxhetore në fushën e pagave.
Sikurse përmenda dhe më lart, për vitin 2025 nuk është hartuar një paketë e re fiskale, e cila do të gjeneronte të ardhura shtesë për buxhetin e vitit 2025 përtej atyre që shpjegova pak më sipër.
Pavarësisht këtij fakti, dëshiroj të sjell në vëmendjen Tuaj se Ministria e Financave është në fazën e finalizimit të draft-Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave dhe Planit të Veprimit, për periudhën 2024-2027. Miratimi i kësaj draft strategjie është programuar të bëhet brenda muajit Dhjetor 2024 dhe përbën një parakusht që Shqipëria duhet të plotësojë në kuadër të dokumentit të politikës “Agjenda Kombëtare e Reformave 2024-2027” me Bashkimin Europian.
Objektivi i draft Strategjisë është rritja e të ardhurave tatimore me 2.5 % e PBB-së, krahasuar me vitin 2023, duke arritur në vitin 2027 mbi 27.7 % e PBB-së. Nga zbatimi i masave të parashikuara në draft Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave për periudhën 4 vjeçare parashikohen të gjenerohen rreth 65 miliardë lek të ardhura, ku peshën kryesore e kanë masat që do të ndërmerren nga mirëadministrimi tatimor.
Për të kaluar më tej në krahun e Shpenzimeve ku për vitin 2025, janë parashikuar të shpenzohen 822.7 miliardë lekë ose 31.4% e Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje në vlerë absolute prej 51.4 miliardë lekë krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2024. Do të vijohet me financimin e një vëllimi të konsiderueshëm investimesh publike prej mesatarisht 6.1% të PBB përgjatë 2025-2027 të cilat përqëndrohen në financimin e projekteve me rëndësi strategjike dhe të lidhura me Planin e Rritjes së BE.
Shpenzimet e personelit për vitin 2025 reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, si dhe koston e plotë të politikës së rritjes së pagave të nisur në prill të vitit 2023 dhe të finalizuar në korrik të vitit 2024. Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike në nivel qendror për 86 mijë punonjës planifikohen në masën 127.6 miliardë lekë ose 4.9% e PBB.
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2025 janë parashikuar në masën 71.3 miliardë lekë ose rreth 2.7% e PBB-së. Në këtë zë është programuar mbështetja me prioritet e politikave ekzistuese të qeverisjes qendrore ku si më kryesoret përmendim: skema e fermerëve, mirëmbajtja e rrugëve nacionale, mirëmbajtja e sistemeve të teknologjisë së informacionit, programet e nxitjes së punësimit, skemat për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe mbështetja për arsimin dhe sportin.
Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.85 miliardë lekë ose rreth 0.1% e PBB. Subvencionet shtetërore për vitin 2025 janë përqëndruar në financimin e skemave të nxitjes së punësimit, mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve bazuar në performancën e tij, si dhe në mbulimin e një pjese të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore dhe veprimtarisë së shërbimeve qeveritare.
Shpenzimet e fondeve speciale që përfshijnë shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 263.8 miliardë lekë.
Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2025 parashikohet në masën 192.3 miliardë lekë ose 7.3% e PBB. Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 1.6 miliardë lekë dhe 3.75 miliardë lekë për bonusin e fundvitit për pensionistët. Më duhet të sqaroj në këtë pikë që kjo nuk lidhet me reformën që synon të ndërmarrë qeveria.
Ndërsa, shpenzimet e Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2025 janë parashikuar në masën 63.1 miliardë lekë ose 2.4% e PBB .
Së fundi, shpenzimet për Fondin e Kompensimit në vlerë të Pronarëve parashikohen në total në masën 3 miliardë lekë ose 0.1% e PBB.
Shpenzime të tjera sociale, përfshin fondet për pagesën e papunësisë, aftësisë së kufizuar, ndihmës ekonomike, dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë dhe bonusin e lindjeve. Konkretisht:
- Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 800 milionë lekë;
- Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 23.7 miliardë lekë ose 0.9% e PBB. Krahasuar me vitin 2024, totali i këtij zëri rezulton me ulje pasi reflekton në tërësi një rialokim prej rreth 2.8 miliardë lekë tek shpenzimet për Fondin e Sigurimeve Shoqërore, në mënyrë që të gjithë përfituesit që gëzojnë statusin e invalidit të punës të mund të marrin pensionet e tyre si dhe përfitimet e tjera që burojnë nga ky status nëpërmjet Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pra një institucioni të vetëm.
- Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1.4 miliardë lekë ose 0.05% e PBB.
- Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2.25 miliardë lekë ose 0.1% e PBB.
Për të kaluar tek Buxheti Vendor, ku shpenzimet për këtë nivel qeverisje për vitin 2025, janë parashikuar në masën 89.8 miliardë lekë, me një rritje prej 13.2% në raport me buxhetin e vitit 2024. Këto shpenzime për vitin 2025 zënë rreth 3.43% të PBB-së nga 2.9% që zinin në vitin 2024 ose nga 2.3% në vitin 2015.
Të ardhurat e veta të pushtetit vendor nga viti 2015 dhe në vijim kanë pësuar rritje të ndjeshme dhe për vitin 2025 parashikohet të rriten me rreth 3.6 miliard lekë, ose 10% mëshumë se viti 2024.
Mbështetja që ka dhënë qeverisja qendrore për njësitë e vetëqeverisjes vendore nëpërmjet reformave të ndërmarra pasqyrohet në rritjen e transfertës së pakushtëzuar, e cila në krahasim me vitin 2024 është rritur në vlerën 1.8 miliardë lekë, ose 7.6% më e lartë se viti i kaluar.
Transferta e pakushtëzuar për çdo bashki në vitin 2025 do të jetë me rritje mesatare në nivelin rreth 8.2% dhe për qarqet me një rritje mesatare në nivelin rreth 3% krahasuar me një vit më parë.
Në buxhetin e vitit 2025 do të vijojë mbështetja buxhetore për rritjen e nivelit të pagave e të gjithë punonjësve të administratës vendore. Për funksionet e decentralizuara në vitin 2016, rritja do të përballohet nga rritja e transfertës së pakushtëzuar sektoriale në vlerën 1.4 miliardë lekë, ndërkohë për të mbuluar efektin financiar shtesë për rritjen e kufirit minimal të nivelit të pagave, do të akordohet një fond shtesë në shumën 3.5 miliardë lekë.
Një risi në buxhetin vendor 2025 do të jetë edhe financimi i grantit të performancës në shumën 200 milionë lekë me qëllim nxitjen e bashkive për të përmirësuar performancën e tyre në qeverisje, menaxhimin më të mirë të financave publike vendore dhe rritjen e transparencës.
Në transfertën e pakushtëzuar të parashikuar për vitin 2025 në masën 26.2 miliardë lekë, do të shtohen edhe fondet prej 13.2 miliardë lekë transfertë e pakushtëzuar sektoriale për financimin e funksioneve të transferuara në nivel vendor, 200 milionë lekë grant performance, si dhe 3.5 miliardë lekë transfertë sektoriale për rritjen e pagave, duke e çuar totalin e transfertës nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor në 43.1 miliardë lekë.
Gjithashtu, në portofolin e buxhetit vendor për vitin 2025, do të jenë dhe 2.2 miliardë lekë si transfertë e kushtëzuar për emergjencat civile ku nga këto 200 milionë lekë jepen për investime dhe rikostruksione për rritjen e sigurisë së digave të ujëmbledhësve.
Reforma e iniciuar nga Qeveria në taksën e pasurisë do të vazhdojë të reflektohet në rritjen e të ardhurave të pushtetit vendor. Në buxhetin e vitit 2025, kjo taksë është parashikuar në vlerën 8.6 miliardë lekë, e cila është rritur dhe vijon të rritet nga viti në vit dhe në vitet e ardhshme do të jetë burimi kryesor i të ardhurave vendore.
Në mbyllje të fjalës time, dëshiroj të ritheksoj se objektivat e projektbuxhetit 2025 janë ruajtja e parametrave makroekonomikë dhe fiskalë që garantojnë një rritje të qëndrueshme ekonomike në periudhën afatmesme si dhe financimi i politikave prioritare që mundësojnë integrimin sa më të shpejtë në familjen e Bashkimit Europian. Ndaj do të sugjeroja që gjatë diskutimeve në komisionet e Kuvendit të projektbuxhetit 2025, çdo propozim eventual për të rritur mbështetjen buxhetore për politika apo sektorë specifikë, të mbajë parasysh ruajtjen e parametrave makroekonomikë dhe fiskalë mbi të cilat është ndërtuar ky projektbuxhet!
Ju faleminderit për vëmendjen!