Një 33- vjeçar shqiptar, i identifikuar si Irakli Rustemi, u dënua me 11 vjet burg, pasi u akuzua për trafikun e kokainës dhe posejdimin e armëve të zjarrit pa leje.
Ai u kap me një sasi prej 13 kg kokainë me vlerë 700 mijë paund. Rustemi u ndalua nga oficerë të armatosur të policisë së Cambridgeshire me një Citroen DS3 të bardhë në A10 në Buntingford.
Kontrollet vërtetuan se Rustemi ishte një i arratisur nga Forca e Emigracionit, ndërsa qëndronte në Mbretërinë e Bashkuar pa leje.
Oficerët kontrolluan automjetin dhe sekuestruan një çelës, që i përkiste një apartamenti. Gjatë kontrollit në apartament, brenda një gardërobe, u gjet një pistoletë vetëngarkuese Makarov 9 mm dhe gjashtë fishekë, që ishin mbështjellë me një peshqir dhe ishin vendosur atje së bashku me drogën.
Rustemi, nga Hertfordshire, po hetohej nga oficerët e Partneritetit të Krimit të Organizuar – një njësi e specializuar e përbërë nga oficerë të Policisë Metropolitane dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit .
Ai u arrestua dhe u akuzua për posedim armësh, municioni dhe droge.
Rustemi u deklarua fajtor në Gjykatën e Kurorës së St Albans dhe u dënua me 11 vjet burgim në të njëjtën gjykatë të mërkurën.