Dhjetë muaj pas arrestimit është liruar nga burgu mjeku kardiolog, Dervish Hasi, i cili u vu në pranga më 18 janar për veprat penale “trafikim i të miturve” dhe “pornografi”.
Avokati i Hasit ka bërë me dije se klienti i tij ka lënë qelinë para një jave, pasi sipas tij, është shpallur i pafajshëm për veprat penale për të cilat akuzohej.
“Nuk është liruar sot, është liruar para një jave. Mbaroj gjykimi dhe fitoi pafajësinë ai, është liruar, është deklaruar i pafajshëm. Tani nuk ka asnjë akuzë.
Nuk është e mitur ajo, unë e kisha thënë me kohë. Ishte një mashtrim, kishin bërë lojë kolegët, e morën në qafë dhe gazetarët lart e poshtë”, ka deklaruar Roland Islami, avokati i mjekut Dervish Hasi.
Mjeku kirurg ra në pranga për shfrytëzim prostitucioni dhe menjëherë pas ngjarjes u pezullua nga detyra në QSUT. Mjeku u denoncua se kishte lidhje me një 16-vjeçare të cilën e prezantonte si gruan e katërt.
42-vjeçari njihet nga të gjithë si një besimtar mysliman dhe në shtëpi kishte tre gra të tjera, ndërkohë, të miturën para njerëzve e prezantonte si gruan e tij të katërt.
16 vjeçarja herë pas here shkonte në shtëpinë e mjekut dhe dyshohej se ky i fundit kishte kryer edhe marrëdhënie seksuale me të. Ndërsa përmes përgjimeve dhe komunikimeve që vajza e mitur ka kryer me 42-vjeçarin Hasi është zbuluar se ata kishin një grup chat-i në të cilin flisnin dhe ndanin video pornografike të gjithë bashkë më gratë e tjera të 42-vjeçarit.
Nga deklaratat e dhëna më herët nga familjarët e të miturës ata thanë se vajza e tyre ishte bindur nga Dervish Hasi dhe shkonte vetë te ai. Dyshohet se ai e kishte manipuluar me terma besimi, duke i premtuar se do te bëhej gruaja e tij e katërt.
Dervish Hasi nuk është një emër i panjohur për autoritetet shqiptare, pasi më herët ai është hetuar nga SPAK sepse dyshohej se ishte i përfshirë në grupin që furnizonte me tritol dhe armë snajper kriminelë brenda dhe jashtë vendit.
Në 22 janar 2019 mjekut iu hodh në erë makina të cilën e kishte të parkuar në rrugën “Belul Hatibi”. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:40. Policia sqaron se makina tip “Benz ML” me targa AA 441 OO, ishte në pronësi të Dervish Hasit, që në atë kohë ai punonte në një spitalin privat.