Ministrja për Shtetin Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni foli sot në Komisionin e Monitorimit të AP të Këshillit të Europës lidhur me aktet e korrupsionit në administratën publike dhe monitorimin e tyre nga institucionet përkatëse.
Pirdeni tha se antikorrupsioni është një proces në progres dhe se gjatë dy viteve të fundit Drejtoria e Antikorrupsionit ka administruar rreth 1200 ankesa, dhe se nga këto 1200 ankesa është vlerësuar nëse do merren masa të natyrë institucionale.
Më tej ministrja tha se fakti që ka ende boshllëqe apo flamuj të kuq në administratën publike do të thotë se Antikorrupsioni do të jetë më i qartë dhe konkret në objektivat e tij të mëtejshme.
Ministrja tha se ka nisur procesi për finalizimin e strategjisë së re të antikorrupsionit, një dokument që u konsultua publikisht për gjatë 3 muajve.