Ka kyçur gojën! Kështu shkruajnë mediat italiane për shoferin i cili i jepte makinës në aksidentin ku u vra 13-vjeçarja shqiptare, Jennifer Alcani.
Prokurori i çështjes, Ezio Domenico Basso, tha se 22-vjeçari nuk ka dhënë asnjë deklaratë deri më tani në lidhje me aksidentin.
Në këtë mënyrë, nuk dihet nëse i riu nga Lecco kishte konsumuar alkool. Në makinën në fjalë udhëtonin në fakt 3 persona: Shoferi 22-vjeçar, një djalë tjetër 19 vjeç, pronar i makinës, por pa patentë dhe 13-vjeçarja Alcani. E teksa kjo e fundit ndërroi jetë, dy djemtë shpëtuan vetëm me disa të gërvishtura.
Ata lëvizën me shpejtësi skëterrë natën mes 9 dhe 10 Janarit. Zbuluar i nxori edhe një video që e kishin postuar në rrjetet sociale ku lëviznin me 150 kilometra në orë.
Mediat shkruajnë se makina tip BMW u shkatërrua në gjysmën e saj të djathtë dhe në sediljen e pasme, ku qëndronte 13-vjeçarja.
Ndërkohë policia ka nisur hetimet teksa shoferi 22-vjeçar po hetohet për vrasje në rrugë.
Kujtojmë se Alcani humbi jetën 6 ditë pasi qëndroi në koma në spital. Dëmtimet që kishte pësuar ishin shumë të rënda.
Dukej se ata po ktheheshin për ta kthyer në shtëpi vajzën, por rrugës ndodhi aksidenti tragjik. Siç shkruajnë mediat, e reja kishte ikur pa leje nga shtëpia.
Të shtunën me qindra njerëz u mblodhën në Lecco dhe përcollën 13-vjeçaren në banesën e fundit.