Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka pritur në ambientet e selisë blu këtë të enjte një delegacion prej 19 deputetësh gjermanë nga landi i Saksonisë, drejtuar nga Deputeti Jan Lödfler, Zv. President i Forumit Parlamentar për Europën Qëndrore dhe Lindore.
Duke i shprehur mirënjohjen për ndihmën e jashtëzakonshme që Gjemania i kanë ofruar Shqipërisë nëpërmjet financimit të projekteve ndër vite, Berisha ka informuar delegacionin e deputeteve mbi krizën e thellë demokratike që kalon Shqipëria sot.

“Gjatë këtij takimi është biseduar dhe mbi ndërtimin e të vetmit narko-shtet në Europë, korruptimin e policisë dhe rënien e sistemit gjyqësor, presionin kriminal të patronazhistëve dhe narko-eurove ndaj votueseve shqiptarë, persekutimin e opozitës, mega-vjedhjet dhe paprekshmërinë e kudondodhur”, njofton zyra e shtypit të PD-së.

Në këtë takim kryetari i PD, mësohet se theksoi gatishmërinë e Partisë Demokratike për të adresuar reformën në drejtësi ashtu si modelin qeverisës sipas praktikave më të mira europiane.

Berisha falënderoi Fondacionin e CDU-së gjermane, Konrad Adenauer për të gjithë mbështetjen e vyer të ofruar në hartimin e programit qeverisës në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.


