Rama në asamblenë e PS në Njësitë nr. 3 dhe 4 në Tiranë: Shoqja jonë është ‘Fitorja’, atyre të tjerëve do u lëmë Noc Rrokun! Këneta nxiti protestat te ‘5 Maji’
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ishte sot (27 shkurt) në takimin e asamblesë së Njësive nr. 3 dhe 4 në Tiranë, edhe në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe riorganizimit të strukturave.
Kryeministri u fokusua tek investimet e bëra, reformat ligjore, ecurinë e vendit në 12 vitet e qeverisjes së majtë dhe prioritetet për të ardhmen.
Ai akuzoi kundërshtarët se kërkojnë që ta mbajnë vendin dhe shqiptarët në kënetën e tyre, kurse synimi i PS është dërgimi i Shqipërisë në tavolinën e BE-së. Rama e mbylli fjalën e tij me personifikim të projektit të mazhorancës, të cilës i vuri emrin “Fitorja”, teksa theksoi se palës tjetër “do i lëmë Noc Rrokun”
“Rruga e Shqipërisë është drejt BE, anëtarësimi atje. Shqipëria do çlirohet dhe do bëhet e barabartë me dinjitet. Pastaj e barabartë në standarde, ekonomi e gjithë të tjerat, është rrugë që do vazhdojë, patjetër me mundësi shumë më të mëdha. BE ka kontributorët dhe përfituesit. Të pasurat janë kontributorë dhe më pak të pasurat janë përfitues, e për këtë arsye një vend si yni do marri një frymëmarrje të re, do ketë mbështetje të strukturuar, shumë herë më të madhe, sepse është një familje ku të mëdhenjtë ndihmojnë të vegjlit, derisa të vegjlit bëhen kontributorë. Disa vende që kanë hyrë të parat pas rënies së komunizmit në BE, janë aktualisht kontribuues, pasi dikur ishin përfitues. Përtej natyrës ekonomike, përfitimi ynë më i madh është se na ka rënë fati nga jeta, se jemi në PS, që kemi zë pak më të madh sesa një anëtar i zakonshëm, mundësinë për të bërë hakmarrjen më të madhe për të gjitha poshtërimet që na kanë bërë të tjerët, ose që ia kemi bërë vetes, por unë besoj se më shumë ia kemi bërë vetes, të heqim poshtërimin që kemi hequr”, u shpreh kreu i mazhorancës.
Ai ripërsëriti ‘hakmarrjen’ ndaj kundërshtarëve të sotëm dhe të djeshëm në 200 vite histori, për ta anëtarësuar vendin në BE, teksa shtoi se “shqiptarët kanë qenë më shumë e keqja e vetes”.
“Tani është momenti për të marrë hak, të heqim zgjedhën e poshtërimit e të parit nga lart poshtë dhe trajtimit si popull të dorës së dytë e për t’i dhënë mundësinë që të ndjehen të barabartë sa herë mendojnë Europën e mos ta shohin atë si diçka të atyre, por të tyren, të dëgjojnë zërin e tyre. Patjetër të marrim hak edhe për fëmijët sot. Tjetër të jesh sot me pasaportë të huaj qytetar i Europës, e është normale dhe tjetër të jesh qytetar i Europës me pasaportë të BE-së e mbi atë pasaportë e shqiponjën aty të shkruhet Shqipëria dhe Bashkimi Europian. Tjetër gjë të jesh biznesmen që shkon në BE dhe të jesh i BE, apo student në BE dhe student i BE-së.
Është përmbysje epokale, shekullore, sepse kemi mundësinë që të bëjmë që brezat tanë kanë ëndërruar dhe kanë shpresuar ta shohin një ditë në 200 vjet. Që të jetojmë në një vend që është përfundimisht i sigurtë, në një familje të madhe që është familja e rrënjëve të kulturës së botës”, u shpreh kryeministri.
Në fjalën e tij nuk mungoi edhe krahasimi me shifra dhe projekte për Njësitë nr. 3 dhe 4 ku mbahej asambleja socialiste e radhës. Kujtoi edhe protestat e nxitura nga “këneta” në lagjen 5 maj, duke u shprehur se tashmë ata kanë shtëpi që vlejnë nga 1500-1900 euro metri katror dhe shumë herë më të mira se i kishin më parë. Në këtë projekt investimi, sipas kreut të qeverisë, ishin edhe të prekurit nga tërmeti.
“Mund të na thonë shumë gjëra neve që jemi në tavolinë që s’na vjen mirë patjetër, dëgjojmë edhe gjëra, dëgjoni dhe ju gjëra, nga ajo pjesë e llogores, por ka edhe gjëra për të mos na ardhur mirë, por shoh atë lagjen e ‘5 Majit’ atje, sa njerëz ishin të pikëlluar atë natë që tërmeti i la pa shtëpi dhe sa prej tyre imagjinonin se do kishin ato shtëpi atje. Ishin me mijëra njerëz dhe askush nuk besonte se do kishte shtëpi dhe të gjithë parafytyronin gjëra të tmerrshme dhe ju e dini se pjesa më e madhe e tyre janë shtresa më vulnerabël dhe sot kanë apartamente që sot kushtojnë 1500, 1700, 1900 euro metri katror dhe i kanë falas. Dhe është vetëm një fazë, ato që kanë hyrë prej tërmetit dhe familjet që janë shpronësuar. U bë luftë atje, ku këneta investoi të gjitha zhabat dhe bretkosat e veta, ku të gjitha zhabat dhe bretkosat e zhapikët investoi gjithçka atje, u hyri në kuzhinë, krevat, i çmendën njerëzit atje, i nxorën në rrugë e protesta, për disa banesa që ishin Kandahar, që s’kishin lidhje me banesat as me Europën, e po marrin apartamente shumë herë më të mira që kishin pasur. E kush është këneta? E dimë shumë mirë unë me ju këtu dhe e dimë shumë mirë se kënetat janë plakur, zhabat janë çmendur, bretkosat janë lajthitur, me gjithë atë bufin aty që jep shpirt dhe nuk heq dorë. Po ta bënim këtë mbledhje në 2013 do e bënim me gjenerator, nuk flas për 5 Majin se para se të përfundonte dielli mund të bije në gropë, edhe duke qenë 2 metra si puna ime, apo për Njësinë 4 që nuk gjeje dot as me të pyetmë. Vetëm 78 neonë punonin atëherë këtu, pjesa tjetër ishte errësirë, madje ca punonin e ca jo, bënin pa-pa-pa. Kandilat kudo, e ku ecje rrugës duhet t’i bërtisje partnerit se kishte gjeneratorë që ulërinin dhe duhet të bërtisje që të dëgjoheshe nga tjetri”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se çmimi i energjisë elektrike është ulur për herë të parë në histori nga mazhoranca e majtë dhe jo vetëm me një lek siç lakohet, por 10,5% për kilovat. Po kështu heqja e taksës së sheshtë i kurseu shqiptarëve me rroga të ulëta 140 mln ejuro që shteti i mëparshëm ua merrte me 10% për këdo. Edhe investimet në shëndetësi dhe arsim ishin objekt i fjalës së shefit të mazhorancës.
“Tani ne bëjmë edhe ulje të çmimit të energjisë, është hera e parë që bëhet ulje e çmimit të energjisë. Tani kemi ca që futen në kënetë e dalin në TV, futen në kënetë e pastaj dalin në portal. Këta kanë një shtëpi në kënetë e një në plazh. E dalin aty e thonë ‘aaaa, e ulët ju me 1 lekë çmimin e energjisë!”. Po nuk ëhstë një lek, është 10,5% për çdo kilovat dhe njëlekshat e kilovatit bëhen si 5 napolonat e qelbta të Qazim Mulletit, se të qelbta e të qelbta por këto 5 napolonat bëhen sa bëhen. Kur morëm detyrën ishin 117 mijë biznese, tani 250 mijë subjekte private. Si ka mundësi ekonomia ka rënë kur subjektet janë më shumë sesa dyfishi, apo le të themi dyfishi. Si ka mundësi flasin për pensionet. Kur morëm detyrën të gjithë paguanin 10% taksë, si kryeministri, ashtu dhe pastruesja. Sot ëhstë ndryshe, sa 57% e njerëzve që marrin pagë më pak nuk paguajnë asnjë taksë më shumë, përveç sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore, kurse 36% të tjerë paguajnë 4-6%. Kurse atëherë paguanin të gjithë 10%. E çfarë është kjo? Janë 140 mln euro apo 1,4 mld lekë që i lihen qytetarëve, që mund t’ia kishim marrë. Janë ndërtuar 10 spitale të reja që nuk ekzistonin dhe 43 të tjera nga themelet i rrëzuam në tokë dhe ringritëm. 400 qendra shëndetësore ka sot Shqipëria e ambulanca që dikur po të shkojë ishin të shkallmuara. Kurse sot janë të pajisura tërësisht. Mos të flas për sterilizimin. Kur ne bëmë sterilizimin, Shqipëria ishte vendi me numrin më të lartë të infeksioneve në spitale, futeshe për operacion, rrije e ca ditë të tjera për infeksionin dhe paguante populli shqiptar. Sot të njëjtat pajisje kirurgjikale në Gjermani përdoren në Shqipëri. Kurse rënia e infeksioneve është shumë herë më e madhe në përfitim të shtetit nga ajo që është hedhur atje.
Apo palestrat që dikur pikonin dhe nuk kishe ku të shkoje për të luajtur basketboll”, kujtoi kreu i mazhorancës.
Ai e mbylli fjalën e tij me synimin e mazhorancës, mandatin e katërt për ta çuar vendin në tavolinën e BE-së, duke e ilustruar këtë me një histori personale nga Fushë-Kruja.
“Më kujtohet një drejtor i zyrës arsimore në Fushë-Krujë, ku për shkak se ne bëmë gjithë ato rindërtime shkollash. Më tha se kryeministër e keni ekzagjërime me këto, pasi ka më shumë banjo në shkolla sesa katunde në tërë vendin. Por duhet të themi se pa arritur këtë Shqipëria nuk e kapërcen atë dritaren për të shkuar në BE, mbetet atje ku ishte. Shoqja jonë më e mirë për ne që nuk i ndahemi është “Fitorja”, ky është qëllimi ynë dhe kjo është shoqja jonë. Dhe Noc Rrokun do ua lëmë atyre të tjerëve që as mos t’u shkojë mendja se do i afrohen “Fitores’”, përfundoi Rama fjalën e tij.