Titullarë apo në stol. Një periudhë kohe, pak a shumë ky grup futbollistësh që po vesh fanellën e skuadrës kombëtare, ka hasur vështirësi me minutat në klubet e tyre.
Nëse më herët shumica e tyre nuk llogariteshin si zgjedhje e parë, tashmë me plot gojën mund të themi se situata ka ndryshuar. Pjesa më e madhe e kuqezinjve kanë zënë vend në ekipet e tyre dhe janë kthyer në pika të rëndësishme, pavarësisht kampionatit ku ata luajnë. Këtu mund të përmendim dy portierët Strakosha dhe Kastrati, ndërsa e njëjta gjë edhe për mbrojtësit Ismajli, Gjimshiti, Mihaj te Famalikao në Portugali, Kumbulla tek Espanjoli apo Mitaj në Arabinë Saudite.
Titullar i padiskutueshëm është edhe Arlind Ajeti në Turqi e, nëse kalojmë në mesfushë, kemi: Qazim Laçin, Amir Abrashin apo Adrion Pajazitin, i cili sapo u rikthye nga dëmtimi dhe po luan titullar me Goricën në Kroaci. Ndërkaq, sulmuesit që aktivizohen rregullisht me ekipet e tyre janë: Rei Manaj, Mirlind Daku, Taulant Seferi, Jasir Asani apo Myrto Uzuni, që la Granadën për t’u transferuar tek Ostin në SHBA.
HUMBËN VENDIN Lidhur me faktorë si: ndryshimi i skuadrës, preferenca e trajnerit apo edhe konkurrenca në skuadrës, ka edhe nga ata lojtarë të Kombëtares të cilët humbën vendin e tyre në formacionin bazë. Nëse Ernest Muçi ishte një titullar i padiskutuar në pjesën e dytë të sezonit të kaluar, teksa u ble për një shifër 10 milionë euro, me ndryshimet te Beshiktashi, ai nuk u pa si titullar, pavarësisht se në Europë apo ndeshje kupe dhe kampionati, Muçi ka marrë minuta të konsiderueshme. Ivan Balliu kishte “blinduar” krahun e djathtë te Rajo Vajekano, por paraqitjet e mira të mbrojtësit tjetër rumun Ratiu, kanë bërë që shqiptari të luajë vetëm 7 ndeshje titullar nga 25 që janë zhvilluar në La Liga. Situatë e ngjashme edhe për Ramadanin, i cili po vendoste rekorde minutash në mesfushën e Leçes, por me ardhjen në stol të Xhampaolos, Ylberi e ka humbur vendin e tij dhe tashmë preferohet si zëvendësues. E njëjta situatë edhe për Nedim Bajramin i cili e nisi mirë sezonin me Rejnxhërsin në Skoci, por sakaq e ka humbur vendin e titullarit. Me ndryshimet e fundit në pankinën e klubit, mesfushori i Kombëtares shpreson të rikthehet sërish si titullar.
NË STOL Edhe pse luajti në disa ndeshje, ardhja e Kapriles e spostoi në stol Alen Sherrin te skuadra e Kaljarit. Pavarësisht kësaj, për portierin kuqezi do të thotë shumë edhe kjo arritje, pasi ndodhet në një klub të Serisë A, ndërsa një vit më parë luante në kampionatin shqiptar. Në vitin e tretë tek Interi, Kristjan Asllani sërish është një lojtar stoli. Konkurrenca e lartë, presioni, objektivat e të qenurit në një klub si Interi, e kanë penguar disi Asllanin.

Megjithatë në këto vite është rritur goxha dhe në një klub më të vogël, mund të luante pa frikë titullar. Arbër Hoxha po përpiqet shumë që të zërë një vend në formacionin e Dinamo Zagrebit, edhe pse në shumicën e rasteve që aktivizohet në pjesën e dytë, bëhet protagonist duke shënuar apo asistuar. Edhe Indrit Tuci për momentin është një lojtar stoli te Sparta e Pragës, por sa herë i jepet mundësia për të luajtur, e shfrytëzon në maksimum. Ndërkohë, Arbnor Muja ende nuk ka arritur që të luajë rregullisht te Samsunspori në Turqi dhe Elesid Hysaj është rikthyer në listën e Lacios në Serinë A, por mbetet alternativë. Këtu mund të përmendim edhe lojtarë, si: Armando Broja apo Medon Berisha, të cilët kanë qenë të pafat këtë sezon dhe kanë vuajtur nga disa dëmtime të shpeshta.