Nga Jonid Jorgji
Nëse do të zgjoheshim nesër, në një Shqipëri “Gjigande” përmes kulturës dhe inovacionit, qytetet tona nuk do të ishin më thjesht qendra administrative, por skena të gjalla arti, muzike, dizajni dhe teknologjie. Kudo do të takonim krijues të njohur dhe të panjohur nga e gjithë bota – jo vetëm sepse i kemi pritur ngrohtë sic dime të bëjmë, por edhe sepse politikat fiskale, infrastruktura dhe komuniteti krijues i kanë ftuar të jetojnë e punojnë këtu.
Shqiperia do te ishte tregu me I madh I veprave te artit ne bote sepse taksa eshte 0. Rrugët do të zbukuroheshin me vepra arti bashkëkohore dhe në çdo hapësirë publike 24 orë do të kishte performanca artistike, ekspozita, kinema të hapura dhe laboratorë të ideve. Mësimi në shkolla nuk do të ishte më proces i mërzitshëm, por një përvojë përmes lojës, ndërtimit, artit, programimit dhe realitetit virtual – ku çdo nxënës do të ndërtonte një portofol krijimtarie: një film të shkurtër, një lojë kompjuterike, një software, një shfaqje teatrore apo një projekt komunitar.
Diku në Korçë, një fabrikë e vjetër do të shndërrohej në qendër të animacionit. Në Shkodër, artistë dhe programues do të ndanin të njëjtën hapësirë bashkëpunimi. Në Krujë, një qendër artizanale do të eksportonte kulturën shqiptare përmes platformave digjitale. Tirana do të ishte një kryeqytet kulturor dhe inovator për të gjithë botën. Ndërkohë, në fshatra të braktisur, artistë ndërkombëtarë do të krijonin rezidenca bashkë me komunitetin lokal, duke kthyer histori të harruara shqiptare në vepra arti dhe vendbanime të heshtura në qendra të zëshme krijimtarie. Ish-ndërmarrjet industriale dhe hapsirat e metalurgjikut do të transformoheshin në studio filmike e salla multimediale, dhe në rrugët tona do të xhiroheshin filma nga Netflix e HBO – duke promovuar peizazhin, historinë dhe energjinë kreative shqiptare.
Në verë, festivale të filmit, letërsisë, teknologjisë dhe modës do të ishin pjesë e identitetit urban, duke sjellë miliona turistë dhe artistë. Krijuesit vendas do të punonin përkrah dizajnerëve të rinj për të zhvilluar marka autentike që eksportohen në mbarë globin. Në një Shqipëri të tillë, eksporti ynë kryesor do të ishte ideja. Aseti më i çmuar nuk do të ishte toka, por historia, përmbajtja, dizajni dhe emocionet. Ekonomia jonë nuk do të mbështetej në atë që kemi nën tokë, por në atë që kemi brenda vetes.
Ky vizion është i fuqishëm, frymëzues dhe mbi të gjitha – i arritshëm. Por për të ndodhur, kërkon më shumë sesa disa fjalë të menduara mirë dhe të hedhura në një artikull, kërkon një Pakt të Ri Kombëtar për Industritë Kreative. Një marrëveshje e përbashkët mes qeverisë, bashkive, sektorit privat, institucioneve arsimore, komuniteteve artistike dhe inovatore dhe diasporës krijuese, ku të gjithë kontribuojnë në ndërtimin e një ekosistemi të qëndrueshëm krijimtarie.
Ky pakt duhet të përfshijë një ligj specifik për industrinë kreative që e njeh këtë sektor si strategjik dhe garanton përkufizime profesionale, përfitime fiskale dhe status të qartë për krijuesit. Duhet të krijojë një skemë të qëndrueshme financimi për projektet me ndikim kulturor dhe ekonomik, duke përfshirë grante publike, fonde bashkëprodhimi dhe subvencione për hapjen e hapësirave të reja krijuese. Duhet të përmbajë gjithashtu një sistem lehtësirash fiskale – ku TVSH-ja për te gjitha produktet nga industria kreative te ulet ose hiqet, tatimet për krijuesit e pavarur te rishikohen, dhe sponsorizimi i artit nga biznesi mbështetet me përfitime konkrete.
Pakti do të përfshinte edhe rigjallërimin e hapësirave publike përmes artit dhe teknologjisë: ndërmarrjet e vjetra industriale do të transformoheshin në qendra kreative; Në arsim, do të ndërtohej një kurrikulë e re kombëtare që integron krijimtarinë në thelb të të mësuarit – me shkolla që ofrojnë profile profesionale për dizajn, prodhim digjital, animacion dhe film.
Në anën tjetër, nismat private do të gëzonin mbështetje reale për të ngritur inkubatorë për startup-e kreative në modë, teknologji, gaming, dizajn e artizanat modern. Platforma kombëtare online do të promovonin artin dhe shërbimet kreative shqiptare në tregje ndërkombëtare. Investimi në studio, hapësira prodhimi dhe qendra multimediale në qytetet kryesore do të ishte prioritet.
Dhe asgjë nga këto nuk mund të funksionojë pa partneritetet ndërkombëtare, bashkëpunime me qendra të artit bashkëkohor dhe bienale globale; shkëmbime artistike dhe rezidenca të përbashkëta me vende të Ballkanit dhe BE-së.
Sipas UNESCO-s, industritë kulturore dhe kreative kontribuojnë me 3.1% të GDP-së globale dhe sigurojnë mbi 50 milionë vende pune në mbarë botën. Në Bashkimin Evropian, ato përfaqësojnë mbi 4.4% të GDP-së dhe punësojnë më shumë të rinj sesa çdo sektor tjetër. Edhe në rajonin tonë, shifrat janë të qarta: në Serbi, industritë kreative kontribuojnë me 2.5% të GDP-së dhe kanë hyrë në strategjitë kombëtare. Në Tirane 15,000 vende pune dhe lidhet ngushtë me industrine kreative. Nga Zyra e Filmit në Tiranë vlerësojnë se vetëm Tirana gjeneron dhjetëra miliona euro në vit nga industria audio-vizuale dhe akoma me teper nga industria e Programimit dhe Lojrave Digjitale. Keto shifra lehtesisht shume-fishohen nëse miratohen paketat ligjore dhe lehtesite fiskale per keto industri.
Ky vizion është aq i bukur sa realist – sepse Shqipëria i ka të gjithë përbërësit; Një popullsi të re dhe energjike. Një trashëgimi të pasur kulturore. Një diasporë krijuese që shkëlqen jashtë vendit. Një pozicion strategjik për tregjet rajonale dhe globale. Dhe mbi të gjitha, talente të jashtëzakonshme: Mira Murati, Anri Sala, Lea Ypi, Erenik Beqiri, Dean Çela e shumë të tjerë janë dëshmi se Shqipëria krijon.
Ky realitet nuk është utopi. Shqipëria tashmë ka bërë hapa drejt kësaj ëndrre fal nismave qeveritare, institucioneve shtetërore, iniciativave private dhe komunitare apo skena e pavarur artistike në vend. Fal ritmit të teknologjisë ajo çka është e re në mëngjes, bëhet e vjetër në dark, ndaj duhet të ndërgjegjsohemi se nuk është momenti për fitoret e vogla individuale, apo institucionale qofshin, është momenti që gjithsceli të japi kontributin e vet për fitoren tonë të përbashkët për një vend që krijon përmes qëndrueshmërisë dhe vizionit.
Tashmë duhet ndërtuar një strategji kombëtare mbi industritë kreative që i jep prioritet të vërtetë zhvillimit përmes kulturës, dijes, përmbajtjes dhe bashkëpunimit.
Një vend i vogël që bëhet gjigand përmes kulturës dhe inovacionit. Një vend që nuk shet të shkuarën, por eksporton të ardhmen. Nuk ka asgjë të mirë që mund të bëhet vetëm. Ndër vite na janë servirur faktet por më lejoni ta mbyll këtë shkrim duke thënë se një vend ka fakte por ka dhe të vërteta dhe e vërteta është se Shqipëria e së nesërmes është aty – vetëm një vendim larg.