Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, ka denoncuar kreun e PS-së në Lushnje, Ergest Krakulli, se i ka marrë pronën familjes Sylari.
PD denoncon se kjo familje kishte lidhur aktmarrëveshje me sipërmarrësin Ergest Krakulli për ndërtimin e një objekti në të cilin pronarët e truallit do të përfitonin ambjente banimi në total 810 m2.
Por, Vangjeli shprehet se në shkelje të kësaj akt marrëveshjeje, pronarëve të truallit ju mohua e drejta e pronësisë për sipërfaqen prej 67.1 m2.
Ajo shprehet se gjykatat i kanë dhënë të drejtë pronarëve të tokës, por biznemeni nuk u dorëzon sipërfaqen e pronës.
“Pse shteti vetë shkel ligjin me të dyja këmbët? A ndodh kjo në rastin konkret duke qenë se sipërmarrësi Ergest Krakulli është mbështetur nga Taulant Balla dhe ka mbajtur statusin e kreut të PS në Lushnjë?”, tha Vangjeli.
Deklarata e plotë:
Në vitin 2007 familja Sylari në cilësinë e pronarit të truallit ka lidhur akt marrëveshjen me sipërmarrësin Ergest Krakulli etj, për ndërtimin e një objekti në të cilin pronarët e truallit do të përfitonin ambjente banimi në total 810 m2 në pasurinë nr.18/199, zona kadastrale 8571, lagjia Kongresi, qyteti Lushnjë.
Në shkelje të kësaj akt marrëveshjeje, pronarëve të truallit ju mohua e drejta e pronësisë për sipërfaqen prej 67.1 m2.
Për këtë ata paditën në gjykatë sipërmarrësin dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë me anë të vendimit nr.362 datë 5 Qershor 2017 vendosi pranimin plotësisht të kërkesë padisë dhe detyrimin e sipërmarrësit Ergest Krakulli etj të dorëzojnë sip 67.1 m2 te paditësit.
Gjykata e Apelit Vlorë i ka dhënë formë të prerë këtij gjykimi duke lënë në fuqi këtë të drejtë të paditësve më anë të vendimit të saj nr.251 datë 26 Tetor 2022.
Megjithatë se gjykata ka gjetur si të paligjshme veprimet e sipërmarrësit duke mohuar sipërfaqen 67.1 m2 që i takon pronarëve të truallit sipas akt marrëveshjes, këta të fundit dëshmuan se nuk kanë mundur të ekzekutojnë vendimin për të njohur pronësinë edhe për këta metra katrorë të mohuara.
Për këtë padrejtësi janë me dije organet shtetërore konkretisht Agjencia Shtetërore e Kadastrës, zyra Qendrore e regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Po çfarë e detyron shtetin shqiptar t’u mohojë pronësinë që u takon qytetarëve kur për këtë disponojnë edhe vendim gjyqësor të formës së prerë?
Pse shteti vetë shkel ligjin me të dyja këmbët?
A ndodh kjo në rastin konkret duke qenë se sipërmarrësi Ergest Krakulli është mbështetur nga Taulant Balla dhe ka mbajtur statusin e kreut të PS në Lushnjë?
Partia Demokratike dënon me forcë këtë padrejtësi dhe apelon organet respektive të njohin pronësinë e mohuar për pronarët legjitimë të cilët rropaten gjykatave me vite të tëra për të vërtetuar të drejtën e tyre e si përfundim vetë shteti ja mohon këtë të drejtë.
Sigurojmë shqiptarët se këto marrin fund në 12 Maj. Bashkë t’u rikthejmë Shqipërinë shqiptarëve …
Votoni nr.1