Spanja ‘mbahet peng’ nga një ndërprerje e energjisë elektrike. Të hënën, më 28 prill, pjesa më e madhe e vendit u përfshi nga errësira për arsye që ende nuk janë sqaruar. Transporti dhe shërbimet ishin në kaos gjatë gjithë ditës, por sporti pagoi edhe pasojat e ndërprerjes së papritur të energjisë elektrike me anulimin e programit të sotëm të Madrid Masters1000 në tenis.
Megjithatë, problemi mund të ndikojë edhe në një ngjarje tjetër; gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve të planifikuar për të mërkurën në mbrëmje midis Barcelonës dhe Interit (21:00).
Konkretisht, udhëtimi i zikaltërve në Katalonjë rrezikon të ndërlikohet nga kaosi i shkaktuar nga ndërprerja e energjisë elektrike.
Programi i Interit
Programi i Interit për udhëtimin drejt Barcelonës është si më poshtë. Takimi në orët e mëngjesit të së martës në ‘Appiano Gentile’, për të zhvilluar më pas një seancë stërvitore rreth orës 12.
Pastaj, dreka në ‘Pinetina’ dhe më vonë fluturimi për në Barcelonë i caktuar për në orën 17:00. Konferenca e trajnerit është planifikuar për në orën 19:15, pikërisht në pjesën e brendshme të stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja e parë e gjysmëfinales, përkatësisht në ‘Montjuïc’.
Për momentin, nga ajo që bëjnë me dije mediet në Itali, programi i Interit është konfirmuar pavarësisht ndërprerjes së përgjithshme të energjisë që ka përfshirë Spanjën me kaosin e lidhur me fluturimet.
UEFA po monitoron gjithashtu situatën, çdo përditësim do të mbërrijë të martën në mëngjes, kur do të kryhen verifikime të mëtejshme.
Situata e fluturimeve dhe rrugët e Barcelonës
Situata në lidhje me fluturimet për në Spanjë është në zhvillim të vazhdueshëm. Trafiku ajror nuk është bllokuar plotësisht; fluturimet nga Italia për në Madrid dhe Barcelonë po nisen, por me disa vonesa. Një situatë që mendohet të zgjidhet deri të martën, pasi shpërndarësi spanjoll i energjisë, Red Eléctrica, deklaroi, menjëherë pas incidentit, se rivendosja e energjisë elektrike do të zgjaste midis 6 dhe 10 orësh. Por gjërat dolën ndryshe, pasi pak pas mesnatës, vetëm 52% e furnizimit kombëtar me energji elektrike ishte rikthyer.
Ndërkohë, në muzg (e hënë) në Barcelonë disa rrugë kishin dritat ndezur, të tjerat jo, me shumë pak bare apo restorante të hapura. Qeveria u ka kërkuar njerëzve të qëndrojnë në shtëpi, të kufizojnë përdorimin e telefonave celularë dhe të dëgjojnë vetëm informacionin e lëshuar nga media zyrtare. Disa linja metroje janë rikthyer në shërbim, ndërsa ka një vendosje të jashtëzakonshme të forcave të policisë në rrugë.
Çfarë ndodh në Spanjë
Ndërprerja masive e energjisë elektrike që ka ndodhur në disa vende, përfshirë Spanjën apo Portugalinë, ka prekur edhe shërbimet publike, me disa njerëz të bllokuar në ashensorë, në trena dhe në metro. Në Madrid, në stacionin Chamartín, të gjithë trenat ndaluan, si ata me shpejtësi të lartë ashtu edhe ata me distanca të mesme dhe pasagjerët dolën nga stacioni, i cili është në ndërtim e sipër, duke kontrolluar vazhdimisht telefonat e tyre celularë dhe panelet e informacionit për t’u informuar.
Një stacion tjetër i madh, Atocha, u evakuua gjithashtu. Linja e emergjencës 112 në disa rajone, përfshirë Madridin dhe Murcia-n, raportoi mbingarkesë për shkak të thirrjeve të shumta nga njerëz të bllokuar në ashensorë.
Vetëm në orët e para të situatës, zjarrfikësit në Madrid, Gipuzkoa dhe Barcelonë ndërhynë në më shumë se 60 raste për të shpëtuar njerëzit e bllokuar në ashensorë, ndërsa metroja e Madridit dhe Barcelonës u detyrua të evakuohej në errësirë, duke shkaktuar panik tek pasagjerët.
Në Valencia, operatori i metrosë raportoi në mediat sociale se, për shkak të një ndërprerjeje të përgjithshme të energjisë elektrike në qytet, trafiku u ndërpre në të gjithë rrjetin dhe se shkalla dhe kohëzgjatja e ndërprerjes nuk dihen.