Në kuadër te operacionit të gjerë antimafia të koduar “Ura”, Prokuroria e Posaçme në bashkëpunim me Prokurorinë e Barit, lëshuan një sërë urdhër-arrestesh si dhe sekuestruan disa biznese, ku mes tyre dhe dy prej lokaleve më të njohura dhe më të frekuentuara në qytetin e Durrësit, restorantin luksoz “Marquez” dhe “Port Side”.
Sipas burimeve zyrtare mësohet se restoranti “Marquess” i vendosur në një nga pikat pranë vijës bregdetare, në zonën e njohur si Currilat, rezulton të jetë në pronësi të Ervin Zeqirit.
Ky lokal ka qenë i njohur për shërbimin në standarte të larta, por tashmë ndodhet në hetim për përfshirje në aktivitete me burim të dyshimtë financiar.
Ndërkohë, lokali tjetër i sekuestruar, “Port Side”, frekuentuar gjerësisht nga të rinjtë dhe turistët është në pronësi të Elvis Doçit, i njohur me nofkën “Visi i Pojës”.
Emri i tij lidhet me një nga figurat më të njohura të botës së krimit, pasi rezulton të jetë nipi i Xhevdet Troplinit, një emër i cili është përmendur disa herë nga autoritetet, por dhe nga politikanë.
Këtu vlen të përmendim ish-kryeministrin Sali Beirsha, i cili përgjatë fushatës së zgjedhore përmendi disa herë mbiemrin e “Troplinëve” duke thënë se po shtantazhojnë qytetarët me qëllim blerjen e votave për zgjedhjet e 11 Majit.
Mesditën e kësaj të mërkure vetë kreu i Prokurorisë, Altin Dumani deklaroi se sekuestrimi i këtyre pasurive është një hap drejt ndërtimit të një harte të plotë të aktivitetit ekonomik të bazuar në burime të paligjshme dhe ka siguruar se asnjë pasuri e përfituar në mënyrë të paligjshme nuk do të mbetet e paprekur.
Kujtojmë se këtë të mërkurë, autoritetet italiane në bashkëpunim me ato shqiptare arritën që të finalizojnë me sukses megaoperacionin e quajtur “Ura”. Pas hetimeve të thelluara mes dy vendeve, të cilat startuan që në shtator të vitit 2021, u arrit “zbërthimi” i grupit-kriminal, pjesë të cilëve ishin edhe disa shqiptarë.
Ndërkohë që ashtu sikurse raportuam dhe më herët në kuadër të këtij operacioni u lëshuan 52 masa sigurie për disa eksponentë të krimit në vendin tonë, por jo vetëm. Pjesë e këtij grupi rezultoi të ishin edhe njerëz të drejtësisë shqiptare si dhe biznesmenë.
Konkretisht 29 masa sigurie u lëshuan në Shqipëri, të gjitha arrest me burg, ndërsa në Itali janë lëshuar 22 urdhër-arreste. Deri më tani janë ekzekutuar gjithsej 40 masa sigurie. Gjithashtu, u bë i mundur sekuestrimi i tre restoranteve në qytetin e Durrësit, një bar Kafe, 6 shoqëri tregtare dhe një televizion në qytetin e Vlorës.
Disa nga pasuritë e sekuestruara në kuadër të këtij operacioni:
– “Marquess” e Ervin Zeqirit
-“Felix Vinum” e Adi Çobës,
-“Majestic Konstruksion” e Juxhin Drazhit
-“Portside” e Elvis Doçit, i njohur si (Visi Pojës),
-“Dubai Inn” e Nexhmedin Danajt,
-“Vlora Cable” Nexhmedin Danajt,
-Kompani tregëtare për shitblerje makinash në pronësi të Olgert Shqevit.