Opinion nga : Dr. Klaudia Hasanllari
Eksperte për Kriminologjinë dhe Bullizmin Online
Lexova sot mbi shpërndarjen e njoftimit për policinë vullnetare.
M’u kujtua viti 2018 në Toronto, kur në lagje patrullonin disa të rinj, të cilët na pyesnin nëse mund të na ndihmonin me heqjen e dëborës dhe na kërkonin t’i njoftonim në raste emergjencqsh. Aty u njoha me konceptin e policisë vullnetare. Të rinj që kontribuonin falas për komunitetin gjatë pushimeve të dimrit ose të verës. (Dhe jo vetëm të rinj.)
Thirrja për policimin vullnetar është në vetvete thirrje për edukim qytetar, për forcimin e rolit të komunitetit, për bërjen e çdo qytetari të dobishëm në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Siguria nuk është vetëm çështje strukturash. Ajo fillon kur secili nga ne kupton rolin antropologjik që ka në forcimin e rendit.
Dhe, e thënë troç, mes qindra problemeve në Shqipëri, ndërgjegja dhe angazhimi qytetar mbetet problemi më i madh.
Policia nuk është veç profesion, por mision. Ky mision nuk shihet dot si i përveçëm. Ai nuk mbivendos dot bindjen dhe angazhimin e qyetarëve. Është për të ardhur keq, që në shoqëri me nevojë kaq të madhe për forcim të rolit komunitar, nisma të tilla shkojnë pa bërë zë, ndërkohë çdo lajm për krimin e organizuar mbivendos showbizzin dhe orkestron Big Brotherin e rradhës.
Unë e kuptoj, komuniteti nuk ka para. Ai është i varfër. Por po aq e kuptoj, se pa vëmendje, ai bëhet edhe i rrezikshëm.
Uroj që të tilla nisma të mos kalojnë pa u dëgjuar.