Në Universitetin “Fan S.Noli” në Korçë u organizua një tryezë e rrumbullakët diskutimesh mbi toponiminë shqiptare, ku profesorë të gjuhësisë dhe të letërsisë kumtuan gjetjet e tyre nga ekspeditat në terren.
Gjuhëtarja Ledi Shamku-Shkreli, e cila është nismëtare e projektit mbarëkombëtar “Thirre vendin tënd! Hapësira si kujtesë!” thotë se mbledhja e emrave të vendeve shihet si një rezultat fundor i një jete, pasi banorët ashtu siç e kanë jetuar vendin, ashtu edhe e kanë emërtuar.
Emërtimi i vendeve është një proces semiotik, thotë gjuhëtarja, duke sqaruar se janë bërë disa klasifikime për toponimet. Ndër më të veçantët rendit patroniminë, thënë ndryshe emërtimet në bazë të pronësisë.
Në kërkim të kohës së bartur, Ledi Shamku-Shkreli thotë se në fshatra të ndryshëm nga veriu në jug kanë gjetur fjalë të ngjashme, që emërtojnë të njëjtin send a dukuri, fjalë të cilat gjallojnë në shqipe që nga shkrimet e Buzukut.