Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani, është kërcënuar nëpërmjet disa mesazheve zanore të ardhur në platformën WhatsApp nga një numër që mbart një ndër kodet e qytetit të Torontos në Kanada.
Këto kërcënime ndaj Shabanit kanë ardhur pak ditë pas përplasjes së tij me drejtuesin e lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, lidhur me mandatin e këtij grupimi në qarkun e Tiranës.
Kërcënimet në drejtim të drejtuesit të Nismës Thurje vijnë në një kohë kur deklaratat mes palëve janë tensionuar dhe kur Lapaj mëse një herë është shprehur se do ta marrë mandatin me çdo çmim.
Kërcënimet në telefonin e Shabanit janë tregues se ky konflikt është shtrirë dhe te mbështetësit e Lapajt, të cilët, me sa duket, janë shumë të irrituar për atë që ka ndodhur.
Në një ndër mesazhet dëgjohet të thuhet:
“O Endri, më dëgjo. Dole shumë i pabesë. Do të kushtojë rëndë kjo.Do të kushtojë jashtë mase rëndë. Ne nuk do ta lëmë kurrë, por kurrë, Adriatikun vetëm. Adriatiku prapa ka një ushtri të tërë. Por ti me ato nënrrogozet e tua, bashkë me atë dajo p.dh motrën, që do ta gjejë se ska ku në p.dh motrës së vejë, ke bërë gabim të rëndë shumë. Të futëm në gjirin tonë se të besuam, por dolët shumë të pabesë.”
Ndërsa në një mesazh tjetër dëgjohet të thuhet:
“Je shumë mjeran, ndërsa daja s’ka ku në p.dh të motrës të futet. Dajua do ta paguajë shtrenjtë. Do t’i q.het motra. Do shikosh ti.”
Pas këtyre mesazheve, mesazhi i radhës duket më i zbutur, pavarësisht se kërcënimet kanë vijuar në një mënyrë tjetër:
“Do donim ta vije veten në vendin tonë, ndaj të lutem shumë thuaj dajës të bëjë prapa e të tërhiqet, t’i lërë vendin atij për të cilin populli ka dhënë votën. Po të përgjërohem e të flasë miqësisht…” – dëgjohet të thotë mes të tjerash zëri në mesazh.