Ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjitikës, Belinda Balluku mesditën e kësaj të mërkure ka qenë duke inspektuar nga afër vijimin e punës në Rrugën e Arbrit në zonën e Planit të Bardhë.
Balluku në fjalën e saj është shprehur se ka nisur asfaltimi i segmentit rrugor Plani i Bardhë – Qafa e Buallit, pjesë e Rrugës së Arbrit, e cila shkurton akoma edhe më tepër kohën e udhëtimit për qytetarët e qarkut Dibër, por mbi të gjitha duke rritur sigurinë rrugore.
Ndër të tjera ajo është shprehur se brenda 10 ditësh pritet që kjo rrugë të jetë e aksesueshme për qytetarët.
“Me shtimin e këtyre kilometrave Rruga e Arbrit merr një formë të plotë. Maji do ta gjej këtë rrugë të hapur dhe të aksesueshme për të gjithë automjetet dhe nga ana tjetër duhet të kemi parasysh që kemi pasur edhe një ecuri të kënaqshme në kushtet që kemi në tunelin e Murrizit, pasi tuneli i vogël, ai që quhet tuneli i emergjencës tashmë është totalisht i hapur dhe ne do të kemi dhe një vizitë aty pas disa ditësh për ta bërë edhe vizitë për publikun. Ndërkohë që tuneli i madh ka rreth 300 metra punë akoma për tu hapur nga 3.8 kilometra që është në total tuneli i Murrizit”, ka thënë ministrja.
Zv kryeministrja Balluku gjatë inspektimit të punës në vijimin e rrugës së Arbrit është shprehur se me hapjen e saj për dy vite janë rritur investimet në këtë zonë.
“Në dy vitet e fundit, për shkak të Rrugës së Arbrit janë investuar qindra, mijëra lekë dhe euro nga vetë individët dhe sektori privat duke ngritur bujtina, duke ngritur njësi të vogla prodhimi me të gjitha produktet që janë të njohura këto zona dhe kjo tregon që kur infrastruktura shkon drejt qyteteve periferike, sado larg dhe të izoluara të kenë qenë ato menjëherë ekonomia zgjohet dhe fillon të reagoj ashtu siç duhet. Kështu që unë jam shumë e lumtur për qarkun e Dibrës që e ka këtë fat që të ketë Rrugën e Arbrit që i sjell ndryshimin e madh dhe çdo ditë që ne ja sjellim më afër këtë rrugë, sa më shpejt e dorëzojmë aq më mirë është për zhvillimin e të gjithë zonës”, është shprehur ajo.