Ish-kreu i Shtetit, Ilir Meta është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme për njohjen e akuzave të ngritura ndaj tij pas marrjes si i pandehur nga organi i akuzës.
Avokati i tij deklaroi se Ilir Meta ka kërkuar nga SPAK të bëhen hetimet të thelluara se kush i bëri kërkesat për lobim, ndërsa shtoi se gjatë komunikimit të akuzave nuk ka pasur tensione.
Gjithashtu theksoi përfaqësuesi ligjor i presidentit të PL-së, se “ai nuk ka pasuri të vendosur nga korrupsioni”
“Meta ka dhënë shpjegimet e tij dhe i ka kërkuar organit të akuzës se përse nuk kanë bërë hetime të thelluara se kush ka bërë kërkesat për lobimin.
Meta ka shpjeguar me detaje për të 3 akuzat për të cilat ai akuzohet”, tha avokati.
I pyetur nëse “Ka pasur momente tensioni nga ana e Metës?”, avokati u përgjigj: “Seanca ishte e qetë, mund të themi që ishte një seancë deri miqësore”.
Sipas avokatit të Metës: “Ne duam të dimë kush i bëri pagesat dhe kush i mori faturat. Sa i përket CEZ-DIA është një akuzë e rënë sepse nuk vërtetohet në asnjë moment që Meta të ketë të ardhura dhe këto pasuri t’i ketë mundur ti fshehë dhe ti pastrojë me veprime të paligjshme.
Ish-Presidenti nuk ka pasuri të vendosur nga korrupsioni. Mali i madh i akuzave të ngritura ndaj Ilir Metës, sot ka rezultuar zero”, tha ai.