Një kompani e dyshimtë, me një pasqyarë financiare me zero të ardhura dhe zero shpenzime ka përfituar një leje ndërtimi në mes të verës së vitit të kaluar nga dora e vetë kryeministrit Edi Rama dhe më të besuarës së tij Belinda Balluku. Me 20 gusht 2024 Refki Peposhi mori një leje ndërtimi për një kullë në zemër të kryeqytetit me 18 kate mbi tokë e 3 nën tokë. Pas sigurimit të lejes sipas projektit me 3 kate nën dhe, ky ndërtim miratohet nga kreu i qeverisë me 4 kate parkingu poshtë tij. Lëvizje kjo që mund të jetë përshtatur me nevojat e qytetit por ngjall dyshime të forta për falsifikim ose nevojen për një studim të ri të impaktit në mjedis dhe strukturës së themeleve.
Për t’u ndërtuar ky pallat preken interesat e banorëve të pallateve rreth tij. Më konkretisht: Bllokohet hyrja për parkimet nëntokësore të pallatit Swarovski dhe të tjetrit ngjyrë portokalli prane tij, si edhe shkatërrimi i lulishtes së ndërtuar nga vetë banorët.
Më shumë se 50 parkime nëntoksore do të jenë pa hyrje pasi ajo po bllokohet, jo përkohësisht, nga ndërtimi i Titan Konstruksion duke i kthyer këto prona private jashtë funksionit duke cënuar rëndë të drejtën kushtetuese të çdo qytetari për ta gëzuar atë. Ndërsa pronarët e parkimeve nën tokë të pallatit portokalli nuk do i kenë më ato në përdorim për rreth 4 vite.
Tentativa për rrethimin e servitytit të kalimit ngjalli reagimin e banorëve duke e penguar përkohësisht këtë lëvizje.
Ndërsa fushata për lirimin e hapësirave publike nga baret nisi, filloi edhe hapja e gropës së Green Tower. Me një rrethim perimetrik i cili prek trotuaret pëprballë Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe Bulevardit në krahun e Lanës, duke zhdukur plotësisht çdo hapësirë publike në funksion të kalimit të qytetarëve.
Këto punime po shkaktojnë tronditje në të dy pallatet pranë këtij kantieri, duke rrezikuar edhe shkaktimin e dëmeve të pariparueshme në strukturën ë tyre dhe vendosur në rrezik jetët dhe pasuritë e banorëve.
Distanca e llogaritur është më pak se 3 metra dhe IMT hesht për këtë shkelje kaq flagrante ndërsa hapësirat publike janë tërësisht të zaptuara. Kjo dëshmon qartë se propaganda e kryeministrit për lirimin e hapësirave publike është tërësisht selektive dhe nuk prek pronarët e ndërtimit.
Shkelja më e madhe dhe e paimagjinueshme në këtë histori është falsifikimi i zotit Peposhi i cili ka marë bekimin e kryeministrit për në lagjen ku dikur ka jetuar vetë për më shumë se 10 vite.
Titan Konstruksion ka deklaruar 2658m2 truall nga të cilat do të ndërtohen 1340 metra dhe diferenca prej 1318 metrash supozohet se do të jetë hapësirë publike siç e kërkon ligji. Por Titani Refkiut në këto metra ka përfshirë edhe atë që tani është prej vitesh nje rruge dhe nje lulishte në funksion të qytetarëve të Tiranës.
Por kush po e ndërton një tjetër Green Tower në Tiranë?
Është Titan Konstruksion e Refki Peposhit, i njohur për lidhjet e tij të hershme me elementë në partinë socialiste dhe për një konflikt me kryeministrin Edi Rama në fillim të karrierës së tij si kreu i qeverisë shqiptare.
Ish aksioner në Titan Konstruksion rezulton edhe Etnik Sopoti i cili me 20 prill të vitit 2023 i dhuroi 50% të aksioneve të tij Refki Peposhit. Ajo që është e çuditshme është se bashkëpronar në truallin 2568m2 ku do të ndërtohet Green Tower është pikërisht sipërmarrësi Etnik Sopoti.
Por për çfarë është i njohur Refki peposhi?
Ai është pronar i kullës portokalli në hyrje të rrugës Sami Frashëri pranë Drejtorisë së se Policisë Tiranë. Ky pallat i ndërtuar rreth 20 vite më parë ishte planifikuar fillimisht me 14 kate por papritur iu shtuan dhe 3 të tjerë pa leje. Banorët e kësaj godine janë mashtruar sistematikisht duke ua shitur apartamentet më shumë se 2-3 herë dhe sot asnjë rezisdent nuk ka hipotekë për këto prona.
Në këtë fotografi do të ilustrojmë zhvillimin e ndërtimit të ri të Titan Konstruskion; hapësira e shënuar me ngjyrë të gjelbër tregon rrugën në të cilën banorët e pallatit “Swarovski” drejtohen për në garazhet e tyre. Ndëra shënimi “parking nën tokë” tregon hapësirën aktuale ku banorët e këtij pallati lenë automjetet e tyre. Pikërisht ky parkim nën tokë i ndërtuar nga Peposhi po shembet sot nga vetë ai.
Hapësira pas këtij pallati ka qenë e pandërtuar dhe nën atë truall janë parkimet e tij nëntokësore. Të gjendur përballë faktit që askush nuk posedon certifikatë pronësie banorët janë detyruar të heshtin dhe të shpresojnë se një ditë, zoti Peposhi do e mbaj fjalën pasi u ka thënë se ky parkim me dy kate nën tokë do të shembet tërësisht dhe do të gjendet një zgjidhje pas përfundimit të punimeve të tij me afat 48 muaj.





