Punimet për ndërtimin e aksit rrugor Berat-Ballaban kanë avancuar ndjeshëm. Është hapur traseja në të gjithë gjatësinë e rrugës dhe po punohet paralelisht për ndërtimin e mureve mbajtës si dhe ndërtimi i shtresave. Ndërkohë, ka nisur edhe hedhja e binderit në kilometrat e parë të kësaj vepre.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe kryetarin e bashkisë Këlcyrë, Klement Ndoni, ndoqën nga afër ecurinë e punimeve për ndërtimin e këtij aksi në zonën e bashkisë së Këlcyrës.
Gjyli sqaroi se janë realizuar më shumë se 50% e punimeve fizike, duke shtuar se synimi është që brenda këtij viti të jetë i aksesueshëm për automjetet.
Impakti i kësaj vepre në të gjithë zonën ka nisur që me fillimin e punimeve, ku shumë prej banorëve kanë investuar në ngritjen e bujtinave të para, ndërsa përfundimi i aksit pritet t’i japë një zhvillim të gjithë zonës.
“Kur ende nuk ishte hapur traseja në zonë kanë filluar iniciativat e para të turizmit. Unë nuk e shikoj vetëm si një aks të rëndësishëm për banorët e zonës, pa dyshim për zonën e Ballabanit, por është shumë e rëndësishme për të gjithë aksin Leskovik-Përmet-Këlcyrë-Memaliaj që e lidh me Beratin për sa i përket turizmit”, tha Kumbaro.
Zëvendëskryeministrja Balluku theksoi se ky projekt, i cili prek dy qarqe dhe disa bashki, jo vetëm do të shkurtojë kohën dhe distancën e udhëtimit, por do të ketë një ndikim në të gjithë zonën me potenciale të mëdha bujqësore dhe turistike.
“Projekti ka nisur për të rritur kualitetin e jetës së banorëve të zonës, për të rritur volumet e shkëmbimeve bujqësore, për të lehtësuar fëmijët që shkojnë në shkolla, shkëmbimet midis fshatrave ku rruga kalon, pasi kjo është një rrugë që kalon në tri krahina të rëndësishme, siç është Përmeti, Skrapari dhe Berati. Ndërkohë që ne projektonim, ndërkohë që u bë procedura, u hap kantieri, ndërkohë që ne jemi duke ndërtuar rrugën, ka përparuar shumë iniciativa individuale e banorëve të zonës për të bërë agroturizëm”, nënvizoi Balluku.
Referuar ecurisë së punimeve, Balluku tha se është e rëndësishme që kantieri të përfundojë brenda muajit tetor, ndërkohë që duke nisur nga viti i ardhshëm kjo rrugë do të jetë një arterie e rëndësishme për turizmin.
“Do ishte mirë që brenda muajit tetor ta mbyllnim të gjithë kantierin, megjithëse këtu duket që puna po shkon drejt fundit për sa i përket të gjithë volumeve parësore, që janë gërmimet, shtrati i rrugës apo skarpatet, kështu që deri në fund të tetorit nëse e dorëzojmë, sezoni i ardhshëm veror do t’ju gjejë me një rrugë totalisht të re”, theksoi ajo.
Aksi rrugor Berat-Ballaban nis në dalje të qytetit të Beratit dhe përfundon në fshatin pranë urës së Ballabanit.