Gjykata Kushtetuese ka reaguar pas shtyrjes së seancës gjyqësore ku po shqyrtohej padia e grupit të PD kundër VKM-së së qeverisë konfiskimin e ndërtimet pa leje.
Reagimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese, në kuadër të transparencës, me qëllim mirëinformimin e publikut, duke pasur parasysh diskutimet në lidhje me vendimmarrjen e saj të datës 26.04.2023 për kërkesën e jo më pak se një të pestës së deputetëve (28 deputetë) të Kuvendit, për shfuqizimin e VKM-së nr. 589/2022 “ Për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi”, sqaron sa më poshtë vijon:
Në seancën e datës 11.04.2023 nga subjekti i interesuar u paraqitën dy kërkesa paraprake në lidhje me legjitimimin e kërkuesit dhe me rregullshmërinë e aktit të përfaqësimit të paraqitur prej tij, çështje e cila vihet për herë të parë në diskutim prej palëve përpara Gjykatës.
Në lidhje me kërkimet e mësipërme Gjykata:
– Vendosi, njëzëri, legjitimimin e kërkuesit ratione personae, pasi si në momentin e paraqitjes së kërkesës, ashtu edhe në atë të shqyrtimit të saj në seancë plenare, ai përbën jo më pak se një të pestën e deputetëve, pra numrin e kërkuar nga neni 134, pika 1, shkronja “c”, i Kushtetutës.
– Vendosi me shumicë votash, konstatimin e parregullsisë së aktit të përfaqësimit të paraqitur nga subjekti kërkues, pasi vërejti se kërkuesi (jo më pak se një e pesta e deputetëve) nuk mund të njësohet me grupin parlamentar të deputetëve. Në këtë kuptim, drejtuesi i një grupi parlamentar, edhe kur deputetët që kanë vënë në lëvizje gjykimin kushtetues i përkasin këtij grupi, nuk ka tagra për të përcaktuar përfaqësimin e subjektit kushtetues në Gjykatën Kushtetuese. Këto tagra i përkasin vetëm subjektit kushtetues (të paktën 28 deputetë), vullneti i të cilit manifestohet përmes shprehjes së vullnetit të deputetëve që kanë formësuar këtë subjekt në çdo rast. Vendimi i mësipërm bazohet në nenin 24 të ligjit organik të Gjykatës nr. 8577/2000, të ndryshuar, i cili parashikon se kur objekt kërkese është një ligj ose akt normativ, kërkuesi përfaqësohet në gjykim me avokat ose përfaqësues ligjor të specializuar dhe, në këtë kuptim, është e nevojshme pasja e një akti nga subjekti kushtetues që përfaqëson vullnetin e deputetëve të këtij subjekti në lidhje me përfaqësimin e detyrueshëm që kërkon ligji.
Gjykata, gjithashtu, caktoi seancën e radhës në datën 02.05.2023, ora 10:00, duke vlerësuar kohën e nevojshme që i duhet kërkuesit për të rregulluar aktin e përfaqësimit, si dhe shqetësimin e tij për zvarritjen e gjykimit.
Në lidhje me këtë shqetësim, Gjykata sqaron se:
Nga depozitimi i kërkesës në datën 14.10.2022, deri në shqyrtimin e saj në seancë plenare publike, kanë kaluar 6 muaj. Konkretisht, Kolegji i Gjykatës ka vendosur kalimin e saj për shqyrtim në seancë plenare në datën 30.11.2022 (pra brenda afatit 3-mujor për shqyrtimin paraprak) dhe palëve pjesëmarrëse në gjykim u është dhënë afat deri në datën 27.12.2022 për paraqitjen e parashtrimeve me shkrim.
Duke qenë se nuk ka pasur ndonjë kërkesë për përshpejtim nga palët ndërgjyqëse, Gjykata, në datën 23.02.2023 (pra 2 muaj nga afati i paraqitjes së parashtrimeve), ka vendosur caktimin e datës së seancës plenare, duke ndjekur kalendarin e çështjeve sipas radhës, radhë kjo e njëjtë me atë të çështjeve të tjera me të njëjtën natyrë.
Gjykata Kushtetuese, duke respektuar lirinë e shprehjes dhe të medias, rithekson rëndësinë e respektimit të pakushtëzuar të vendimeve të saj dhe kërkon nga palët vetëpërmbajtje në lidhje me komentet për çështjet në proces, çka do t’i shërbente forcimit të besimit të publikut në autoritetin e saj si organ që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës.