SPAK përmbylli hetimet për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, familjarë dhe bashkëpunëtorë të saj, biznesmenë shoqëri tregtare dhe OJF dhe dorëzoi dosjen penale për gjykim.
Ndaj kryebashkiakut janë ngritur 12 akuza penale, si korrupsion i zyrtarëve të lartë kryer në bashkëpunim ne 9 raste, pastrim parash, deklarim i rremë të pasurisë, fshehje të ardhurash, shpërdorim detyre dhe futje e sendeve të paligjshme në ambientet e vuajtjes së dënimit.
SPAK – “Të pandehurit Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
SPAK e akuzon Veliajn se ka kaluar fonde të Bashkisë në adresa të Organizatave jofitimprurëse që zotërohen në mënyrë direkte apo të tërthorte nga bashkëshortja e tij.
SPAK – “I pandehuri Erion Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar nga bashkëshortja e tij, e pandehura Ajola Xoxa, si edhe individë të afërt me të”.
Çifti Xoxa Veliaj akuzohet po ashtu, se kanë përfituar rryshfet nga biznesmenët që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, se përmes kompanive dhe organizatave jofitimprurëse që kontrollon Xoxa dhe kompanitë e biznesmenit Elman Abule është kryer pastrim parash.
SPAK – Ky qëllim kriminal i të pandehurve do të ishte i pamundur të përmbushej, pa rolin përcaktues të subjekteve të tjera tregtare, shpk dhe OJF-ve. Në këtë kuptim, organi procedues ka arritur në përfundimin se OJF-të “Harabel”, “Eventus”, “Muza” dhe “BYL-A”, personat fizikë si shtetasit Valmir Xoxa dhe Adela Kondakçiu, të kontrolluar plotësisht nga e pandehura, Ajola Xoxa, si edhe shtetasi, Elman Abule dhe shoqëria “Rametal” shpk, kanë kryer veprime konkrete të kundërligjshme në drejtim të pastrimit të produkteve të veprës penale.
Në aktakuzën e prokurorisë thuhet se çifti Xoxa Veliaj qarkullonin të holla cash jashtë sistemit bankar, para të cilat vijnë si rezultat i përfitimeve të parregullta të siguruara për shkak të funksionit të kryetarit të bashkisë Tiranë, si dhe janë përdorur për të ushqyer ndër të tjera dhe aktivitetet private tregtare të subjekteve që kontrollohen nga bashkëshortja e tij. Ndaj Veliajt është ngritur edhe akuzë për ndryshimin e planit të detajuar vendor dhe më pas dhënies së një leje ndërtimi për një objekt shumëkatësh banimi tek I cili ka interesa pasurore bashkëshortja e tij, në një kohë që janë dëmtuar interesat e shtetit.