Gjykata e Posaçme ka lënë në masën “arrest shtëpie” avokatin Besart Logu, i akuzuar se ka marrë 8 mijë euro nga një klient i tij për ta liruar me qëllim që t’ia jepte gjyqtarit dhe prokurorit të çështjes sipas dyshimeve.
Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar masën e arrestit shtëpiak dhe ditën e sotme GJKKO, në seancë vlerësimi, e pranoi kërkesën. Masa u dha nga gjyqtarja Flora Hajredinaj.
Akuza ndaj Logut ëshë “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Vetë avokati i ka mohuar akuzat e ngritura publikisht, si të pabazuara në prova.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme:
“Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 10.09.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje të personit të arrestuar Besart Logu, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 të Kodit Penal.
-Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, bazuar në nenet 112, 75/a, 228, 229, 230, 244/3, 237 dhe 248 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 92, datë 11.09.2025, vendosi:
-Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 të K.Pr.Penale, të caktuar me vendimin nr.91, datë 09.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj të hetuarit Besart Logu, atësia N. dhe amësia H., i datëlindjes ****, lindur në **** dhe banues në **** në adresën: ****, me arsim ****, me gjendje civile ****, dhe me ****, me gjendje gjyqësore ****, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal.
-Urdhërohet policia gjyqësore dhe Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për zbatimin e këtij vendimi. 3. Kundër këtij vendimi lejohet e drejta e ankimit, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda pesë ditëve, nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar”.
