Kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar një takim me mjekët dhe infermierët e Matit dhe Klosit, ku është shprehur fillimisht se më në fund është realizuar dëshira e kahershme për rritjen e pagave për mjekët në veçanti.
Rama shton se rritja e pagave për mjekët me 20 mijë lekë për mjekët në tërësi dhe me 15 mijë lëke për infermierët, na barazon me Rajonin.
Ai falënderoi në veçanti mjeket që kanë vite që punojnë në kushte mizerabël, por tanimë kushtet janë përmirësuar dhe sipas kryeministrit është më e kënaqshme ta ushtrosh profesionin.
Rama theksoi se qëllimi i tij është që mjekët këtu të jenë barabat me ata në Gjermani, jo përsa i përket pagës, por për atë që u mbetet në fundin e muajit.
Në fund ai përmendi Shpiragën, një vend ku shpresohet të ketë lajme të mira në lidhje me naftën dhe gazit, e nëse kjo do të ndodhë, atëherë do kalojmë në një tjetër nivel ekonomik, tha kryeministri
Pjesë nga fjala e Ramës:
Kënaqësi për mua, që ta them me gojën plot, që kemi realizuar një dëshirë të kahershme dhe kemi hequr një siklet të madh, që lidhej me faktin që nuk na krijohej mundësia për të bërë një rritje pagash në tërësi dhe mjekëve në veçanti.
Ka qenë një stres i madh sa herë përballeshim me bluzat e bardha të Rajonit. Rritja e pagave nuk është çështje dëshire, por është një vendim që duhet marrë me kujdes dhe me garancinë që buxheti i shtetit e mbështet dhe ekonomia e mbështetet nga kjo rritje dhe nuk kemi efekti bumerang.
Duhet të kemi parasysh që rritja e pagave të përkthehet në rritje të borxhit, ky do ishte problem.
Kemi vite që kemi pasur shumë vështirësi, si fillim me tërmetin, pastaj pandeminë dhe tani luftën.
Ne filluam me bluzat e bardha në tërësi, specialistët e kanë marrë dhe nga ky muaj do të rritet edhe paga bazike, me 20 mijë lekë të reja për mjekët dhe 15 mijë lekë për infermierët.
Me këtë rritje ne jemi në nivelin e Rajonit. Natyrisht që nëse do të kemi mundësi të reja, patjetër që do të vazhdojmë të rrisin pagat.
Rritja e të ardhura për frymë që kur kemi ardhur ne në pushtet është dyfishuar, por pa e çuar në 10 mijë euro për frymë nuk do ta konsiderojmë punën tonë të përfunduar.
Ashtu sikundër paga minimale, e cila shkoi 40, do ta çojmë 45 brenda 2025, por pa e çuar 60, prap nuk e kemi bërë punën.
Dhe për këtë duhet të rrisin ekonominë. Jemi shumë optimistë, sepse kemi një potencial të madh të pashfrytëzuar në turizëm.
Turizmi është njëri aspekt, aspekti tjetër është energjia. Duke u bërë të pavarur, ne nuk do të shpenzojmë më para për të blerë energji dhe ato para do të qarkullojmë këtu.
Nëse do të kemi lajme të mira nga Shpiragë, për naftën dhe gazit, atëherë do të flasim për një tjetër nivel.
Dua t’ju falënderoj për punën që bëni, më shumë për zonjat, të cilat kanë punuar prej vitesh në kushte të tmerrshme.
Sot është më e kënaqshme ta ushtrosh profesionin tuaj në kushte më të mira.
Dua që ti japim çdo mjeku mundësinë që të ketë këtu, të jetë barabartë me Gjermaninë, jo për atë që merr, por për atë që mbetet në fundin e muajit.