Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve dhe Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve të Shqipërisë lidhën sot një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim parandalimit e krimit te grupmoshat e reja duke përdorur mekanizma ndërmjetësimi në rastet e konflikteve mes të rinjve.
Kryetarja e DHKN, Znj. Avdyli theksoi rëndësinë e ndërmjetësimit, si një zgjidhje efikase ligjore, me kosto minimale, shumë më të ulta dhe të shpejta se zgjidhjet gjyqësore por edhe më njerëzore. Ajo garantoi mbështetjen e DHKN për të miturit në konflikt me ligjin dhe riintegrimin e tyre.
Ndërkohë drejtuesja e QPKMR, Znj. Hasanllari theksoi se shumica e konflikteve mes adoleshentëve bëhen shkak për kryerjen e veprave më të rënda penale deri te ato me pasoja fatale. Zgjidhja me ndërmjetësim në të tilla raste do të ishte një mekanizëm shumë i vlefshëm për parandalimin e krimit, duke mos lejuar përshkallëzimin e situatave. Gjithashtu ndërgjegjësimi mbi këto zgjidhje do të jetë një fokus kyç i qendrës në takimet me të rinjtë.
Të dy palët janë angazhuar maksimalisht për krijimin e mekanizmave parandalues, duke besuar se zgjidhja e një konflikti sot, edukon dhe krijon precedentë pozitivë për raste të tjera të ngjashme në të ardhmen.