Arrestimi i 22-vjeçarit Firdeus Berberi në Janinë të Greqisë, ka mobilizuar Prokurorinë e Korçës, të dorëzojë në Gjykatën e qytetit, kërkesën për përcjelljen e letërporosisë, me qëllim ekstradimin në Shqipëri të Berberit.
Firdeus Berberi ka një proces të hapur pranë gjykatës së Korçës, ku akuzohet për “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë ndaj Johan Muçllarit dhe “Mbajtje pa lejë të armëve të zjarrit”, “Prishje e qetësisë publike”.
Berberi është djali i Ilir Berberit ose siç njihet ndryshe në Pogradec me nofkën “Liri i Rushkës”, person ky me precedentë penalë i implikuar në ngjarjen e goditjes së hotel “Voloreka” në gushtin e vitit 2020.
Prokuroria e Korçës kërkon nga autoritet Helene, që Firdeus Berberi të transferohet drejt Shqipërisë, ku do i nënshtrohet procesit gjyqësor. Të njëjtën kërkesë për ekstradim ka depozituar në gjykatë dhe prokuroria e Posaçme SPAK, e cila kërkon nga Drejtësia Greke të transferojë në Shqipëri, Laert Haxhiun njeri ky i dënuar me 18 vjet heqje lirie dhe hetuar në masën e sigurisë arrest në burg si i dyshuar në vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës.
Haxhiu u ndalua gjatë një ndjekje që i bëri policia e Janinës një automjeti tip “BMW X6”,duke arrestuar personin shumë të kërkuar që fshihej në Greqi me dokumente false, duke përdorur emrin Gjeorgjian, Mikis Askalidis. Bashkë me Laert Haxhiun, është ndaluar dhe Firdeus Berberi dhe shoku i tij, Juxhin Bajrami. Firdeus Berberi aktualisht është marrë i pandehur për “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë dhe dy akuza të tjera.