Këtë të premte janë shënuar të shtëna me armë në kufirin Shqipëri-Kosovë, mes një grupi të strukturuar kriminal të transportit të emigrantëve të paligjshëm dhe punonjësve të policisë në Morinë.
Në kuadër të operacionit të organizuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Kukës, Policia Kufitare e DVKM Kukës dhe Policia e Kosovë është bërë i mundur arrestimi i 6 shtetas sirianë dhe algjerianë. Të arrestuarit janë, Ayoub Bahhoo, Muhaned Nasir, Nagid Alabdahah, Muhamed Shehab, Mohamed Radaëin dhe Rabii Lqadi, si dhe u shpall në kërkim shtetasi Sultan Grimashi.
Sipas policisë në kuadër të këtij operacioni është goditur një grup i strukturuar kriminal që organizonte dhe drejtonte një rrjet të trafikut ndërkombëtar të emigrantëve nga vendet e treta, nga Greqia për në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, me destinacion final shtetet e BE-së.
Në njoftimin e policisë thuhet se në tentativë për t’i shpëtuar Policisë, disa prej këtyre shtetasve kanë hapur zjarr ndaj punonjësve të Policisë, duke rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të Policisë.
Ndërkohë vijon kontrolli i zonës për gjetjen e armëve të zjarrit të përdorura në këtë rast, si dhe për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.
Shërbimet e DVP Kukës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të PKK Morinë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në informacionet e siguruara për një grup të mirëstrukturuar kriminal që organizonte dhe drejtonte këtë veprimtari kriminale, kundrejt fitimeve, kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin policor të koduar “Strukturimi”.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Morinë, në kufirin e gjelbër me Kosovën, ku shërbimet e Policisë kanë lokalizuar grupin e shtetasve të huaj që ushtronte veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Shërbimet e Policisë iu kanë bërë thirrje këtyre shtetasve, që të ndalojnë, por disa prej tyre kanë hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë duke rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të Policisë.
Operacioni “Strukturimi” vijon për gjetjen e armëve të zjarrit të përdorura në këtë rast, si dhe për kapjen e shtetasit algjerian të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.