Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar se do të ketë protesta të qëndrueshme kundër qeverisë. I pyetur nga gazetarët se çfarë rruge i ka mbetur tjetër për të rrëzuar qeverinë, ai tha se ajo që nuk ka bërë janë protestat e qëndrueshme.
PD tha Berisha, do të analizojë të gjitha mangësitë e saj, por theksoi se kanë bindjen e plotë se me Ramën nuk ka zgjedhje të lira.
Pyetje: Në fakt keni provuar protestat, denoncimet kundër qeverisë Rama, çfarë ju ka ngelur pa bërë që mund tju japë shpresë që ju të jeni alternativë në zgjedhjet e 2025?
Berisha: Në fakt ajo që nuk është bërë është protesta e qëndrueshme. Atë mund të më kritikojnë shqiptarët pse nuk e ke bërë dhe ajo do bëhet, protesta e qëndrueshme. Këta 500 mijë idealiste që duruan format e presioneve këta janë luftëtarë të vërtetë të rikthimit të votës së lirë. PD do analizojë me përgjegjësi të plotë të gjitha mangësitë dhe problematikat e saj për të përsosur punën, por PD do qëndrojë në misionin e vet për rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve me bindjen e thellë se me Ramën nuk ka votim të lirë. Këto janë me faza.
RASTI BELERI
Ndërkohë për rastin Beleri, gazetarët i kujtuan Berishës faktin që ai akuzohet për vrasje dhe për djegie të flamurit shqiptar, por ish kryeministri tha se është çliruar nga këto akuza. Ndërsa për flamurin u shpreh se nuk e ka parasysh.
“Nuk kam parasysh se ka djeg flamurin, por vijmë te thelbi… që Fredi Beleri thotë jam grek, bën mirë se është grek. Ne jemi vend i lirë dhe çdo njeri duhet të ketë të drejtën të tregojë identitetin e tij kombëtar.
Një nga momentet që më ka mbetur në mendje ishte një debat në parlament mes Vangjel Dules dhe Edi Ramës. U përplasën për një problem, Edi Rama iu vërsul me një urrejtje të papërmbajtur si grek. Unë i thashë ky duhet të jetë krenar me origjinën e tij, s’mund ta fyesh. Pse ja bëri? E kishte patur kushedi sa herë në koalicion dhe pse ta fyente.
Vangjel Dule është grek krenar. Çfarë t’i them unë mos ji krenar?!”, tha Berisha.