Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar turin e falenderimeve me qytetarët e Korçës, ku ka folur për perspektivat e qeverisjes së tij në të ardhmen.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se prioritet i qeverisë gjatë këtij mandati do të jetë trajtimi me respekt i qytetarëve që paraqiten nëpër zyrat e shtetit.
Rama këshilloi kryebashkiakët dhe zyrtarët e PS-së që nëse nuk ia zgjidhin dot hallet qytetarëve, të paktën t’jua qajnë.
Ai tha gjithashtu se PS është një forcë politike që votohet më shumë nga gratë dhe shtoi se burrat në PS janë më të mirë se burrat e tjerë.
“Të krijojmë mekanizma që të gjithë nejrëzit të ndihen të respektuar. Nëse nuk ma zgjidh hallin, të paktën ma qaj. Hallin që num ma zgjidh dot të paktën ma qaj. Ju e dini shumë mirë që nëse dikush na zgjidh një problem, i themi njëherë faleminderit, nëse na i qan një hall, i themi përjetësisht faleminderit. Kështu duhet të sillet Bashkia e dalë nga vota e 14 majit, kështu duhet të sillet qeveria në të gjitha nivelet.
Unë nuk di të kemi probleme të veçanta më zyrat e shtetit në Korçë, por di që megjithëse i kemi kaluar online 95 % të shërbimeve, ka plotë njerëz që shkojnë nëpër zyra, por nuk trajtohen ashtu siç e meritojnë. Ky do të jetë objektivi ynë i përditshëm. Në radhë të parë më vjen keq, për të gjitha gratë dhe vajzat e qarkut të Korçës. Ne jemi partia që votohet më shumë nga gratë jo nga burrat. Kjo është forca jonë më e madhe.
Këtë gjë duhet ta keni parasysh, sepse siç një burrë e mban gruaja, siç një shtëpi e mban gruaja, edhe këtë parti e mbajnë gratë dhe burrat në këtë parti janë më të mirë. Ne do ta bëjmë Shqipërinë kampione në këtë rajon në disa aspekte dhe do i bëjmë shqiptarët të ndihen krenarë”, është shprehur Rama gjatë fjalës së tij.