Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç thotë se Serbia duhet t’i kërkojë falje Kosovës dhe ta njohë si shtet të pavarur. Gjatë fjalës së tij në forumin e sigurisë Globsec 2023 që po zhvillohet në Bratislavë, Plenkoviç tha se mes dy shteteve duhet të normalizohen marrëdhëniet.
“Mendimi ynë për Kosovën, para së gjithash, dëshirojmë të shohim stabilitet, paqe dhe zgjidhje të shpejtë të këtij incidenti që ndodhi disa ditë më parë ku u plagosën disa pjesëtarë ushtarakë të KFOR-it, kjo është e para”, tha Plenkoviç.
“E dyta është se ne jemi të vetëdijshëm për situatën delikate të ekuacionit përfundimtar të situatës së Kosovës. Mënyra se si unë e kuptova në shumë aspekte qëndrimin e lidershipit të Kosovës është si vijon në raport me Beogradin, apo me Serbinë në përgjithësi, dhe do ta përmbledh në tre fjalë; kërkim falje për agresionin e Millosheviçit, njohje, dhe pastaj normalizim.
Me pak fjalë ky është qëndrimi që ne të gjithë mund ta nxjerrim nga baza e qëndrimit të Kosovës, gjë që është plotësisht e kuptueshme. Në të njëjtën kohë që cilido lider politik në Serbi që do e njohë Kosovën, nuk mendoj se ka shumë perspektivë karriere në politikë atje. Kjo e bën zgjidhjen shumë të komplikuar”, tha ai.
Ai bëri thirrje edhe që situata të qetësohet në veri. “Ta lëmë të kaluarën në të kaluarën dhe gjithçka do të jetë mirë në të ardhmen”, shtoi ai. about:blank
“Pra, ajo që duhet të bëjmë është të lehtësojmë bisedimet, të qetësojmë situatën menjëherë dhe të gjejmë zgjidhje se si pjesa veriore e Kosovës, ku serbët janë shumicë, të cilët bojkotuan zgjedhjet kohët e fundit, mund të marrin pjesë në procesin demokratik, kjo është thelbësore, pa pjesëmarrje në procesin demokratik nuk po dërgoni sinjale të ndërtimit të besimit dhe bashkëjetesës në një pjesë shumë të vogël të vendit”, shtoi ai.
Protesta e serbëve në veri nisi të premten dhe nuk munguan as përleshjet me policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, 30 prej të cilëve mbetën të plagosur.