Paolo Maldini po planifikonte një revolucion në Milano përpara shkarkimit të tij, duke dashur që klubi të zëvendësonte trajnerin Stefano Pioli me Andrea Pirlo, raporton Corriere dello Sport.
Drejtori teknik 54-vjeçar u shkarkua nga pronari Gerry Cardinale të hënën pas një takimi të shkurtër por të tensionuar. Jo vetëm kaq pasi edhe ndihmësi i tij i ngushtë Frederico Massara pati të njëjtin fat gjithashtu, duke mbyllur një epokë të rëndësishme te kuqezinjtë.
Maldini dhe Massara luajtën një rol themelor në rikthimin e Milanit në majat e futbollit italian, duke sjellë në ekip personalitete të rëndësishme si Mike Maignan, Rafael Leao dhe Theo Hernandez. Largimi i dyshes speicale tashmë e ka futur klubin në një gjendje kaosi dhe kjo ka shkaktuar tension mes lojtarëve.
Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, Maldini kishte shprehur idenë që klubi të zëvendësonte Piolin me ish-bashkëlojtarin e tij Pirlo, i cili së fundmi u largua nga skuadra turke Fatih Karagumruk.
Presidenca e re nuk ra dakord me këtë mendim dhe më pas nxitoi për të marrë vendimin drastik për drejtorin teknik.