52 gola në 52 ndeshje në sezonin e parë në Angli e bëjnë padyshim Erling Halandin armën kryesore të Pep Guardiolës sot në mbrëmje, kur në “Ataturk Olimpik Stadium”, norvegjezi dhe Mançester Siti do të tentojnë të kompletojnë tripletën duke ngritur trofeun në qiellin e Stambollit.
Në rrëfimin për ecurinë e tij dhe të Sitit, Haland tregon edhe nervozizmin e një viti më parë kur shikonte shanset e pashfrytëzuara të Mançester Sitit, që sot përkthehen në gola për të.
Lëmë një moment mënjanë finalen dhe kthehemi në momentin e kalimit te Siti. Çfarë ndjetë për një klub që ka qenë edhe i bababit tuaj?
Isha i emocionuar për një sfidë të re. E dija se po bashkohesha me një ekip ku do të kisha shumë shanse për të shënuar gola dhe për të ndikuar në skuadër dhe kjo ka qenë ajo që kam bërë, për fat të mirë. Jam ndier mirë në sezonin tim të parë këtu. Kam parë fotot e mia me fanellat e Sitit kur isha i vogël dhe dua të vazhdoj të bëj të lumtur të gjithë tifozët tanë.
A ju ka befasuar ndonjë gjë te Siti kur iu bashkuat?
Gjithmonë e kam ditur se kjo do të ishte një sfidë e re dhe diçka ndryshe nga ajo që kisha përjetuar më parë, por po e shijoj vërtet. E dija që ky trajner, ekipi, stafi, ambientet dhe gjithçka këtu në klub do të ishte në nivelin më të lartë, dhe pikërisht kështu është. Intensiteti është kaq i lartë në Premier Ligë sa çdokush mund këdo dhe duhet të jesh gjithmonë në maksimum për të fituar.
Si ju ka ndihmuar Pep Guardiola të zhvilloni lojën tuaj?
Pep, asistentët e tij dhe i gjithë stafi bëjnë gjithçka për të na ndihmuar të sjellim versionin më të mirë të vetes në fushë. Unë tashmë kam mësuar shumë nga Pep dhe jam i sigurt se do të ketë edhe më shumë.
Ju keni arritur shumë me Sitin këtë sezon. Si do të ndiheni të dilni në fushë në një finale të Champions League?
Do të jetë e veçantë. Gjithmonë kam ëndërruar të luaj në finalen e Champions League dhe do të jetë një nder të luaj në këtë ndeshje. Por kemi edhe një punë për të bërë. Ka qenë një sezon i jashtëzakonshëm, por duhet ta përfundojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. E di që të gjithë do të japim gjithçka për të fituar këtë finale. Duhet të jemi në maksimumin tonë kundër një Interi shumë të mirë dhe jemi padyshim të emocionuar që do të dalim në fushë.
Keni shënuar 1.21 gola për ndeshje në Champions, e paprecedentë. Befasoheni ndonjëherë nga vetja?
E dija se do të kisha shanset për të shënuar duke luajtur në këtë ekip. Kur keni kaq shumë lojtarë të jashtëzakonshëm rreth jush për të krijuar mundësi dhe hapësira, ka gjithmonë shansin e duhur për të shënuar. Jam shumë me fat që kam shokë skuadre të tillë dhe e di se duhet shumë punë brenda dhe jashtë fushës për të vazhduar me të njëjtin ritëm. Nuk i shikoj më as ndeshjet e mia të kaluara, sapo shënoj, fokusi im është të gjej golin e radhës.
Një gol që ju ka mbetur në mendje?
Më duhet të them se mendoj që goli kundër Dortmundit ishte një gol i bukur. Gjithmonë kam dashur të shënoj një gol të tillë, kështu që ishte një ndjenjë e mrekullueshme. Ishte gjithashtu një gol shumë i rëndësishëm në fazën e grupeve kundër një ekipi fantastik.
A i vendosni vetes objektiva apo u kushtoni vëmendje statistikave?
Objektivat e mi janë të përpiqem të ndihmoj ekipin të ngrejë trofe në fund të sezonit duke shënuar gola. E di që nëse mund të shënoj gola dhe të mbështes ekipin, atëherë do t’i ndihmoj të gjithë të arrijnë qëllimet e tyre në fund të sezonit. Unë jam shumë i kënaqur me rolin tim për të shtyrë topin në rrjetë. Nuk më duhet të krijoj asgjë, por kam rolin tim në skuadër, i cili është të shënoj. Sezonin e shkuar shikoja mundësitë që krijoheshin dhe krosimet, të cilat përshkonin gjithë portën dhe askush nuk i shtynte në rrjetë. Imagjinoja veten time në atë pozicion duke rrëshqitur topin në rrjetë.
Si do ta përshkruanit këtë skuadër të Sitit në tërësi?
Është absolutisht e pabesueshme. Të gjithë ne ndajmë të njëjtën uri dhe dëshirë për të pasur sukses çdo ditë. Ne jemi aty për njëri-tjetrin dhe kështu duhet të jetë nëse duam të jemi të suksesshëm. Është një grup vërtet i veçantë djemsh, por edhe trajneri, stafi dhe i gjithë klubi.