Pas barazimeve me Ishujt Faroe dhe Republikën Çeke, Moldavia kërkon një tjetër rezultat pozitiv në kualifikueset e Euro 2024. Kjo kombëtare do të përballet me Shqipërinë me 17 qershor në “Air Albania”, në një sfidë tejet delikate. Vitalie Damașcan, sulmuesi i moldavëve shprehet se ekipi mund të marrë 3 pikët, nëse luan si grup.
“Jam gjithmonë i lumtur kur ftohem në kombëtare dhe jam krenar që luaj për Moldavinë. Kemi dy ndeshje të rëndësishme përpara, ndaj Shqipërisë dhe Polonisë. Ne duam të vazhdojmë fushatën kualifikuese në Tiranë me një tjetër rezultat pozitiv, siç e nisëm. Sigurisht që dua të shënoj gola, por objektivat e ekipit janë prioriteti im. Ne luajmë para së gjithash për publikun. Të gjithë duam të arrijmë rezultate, por ato mund të vijnë vetëm me përpjekje të përbashkëta” – tha Vitalie Damașcan.