Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, foli për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe agravimin e saj pas rrëmbimit të tre policëve nga forcat serbe.
Nga Kuvendi, diplomatja shqiptare tha se është e domosdoshme që situata të shetnsionohet, ndërsa i kërkoi Kosovës të dëgjojë partnerët perëndimorë për normalizimin e gjendjes në veri dhe zbatimin e kërkesave të tyre.
“Është e domosdoshme që situata të shtensionohet, është e domosdoshme që qeveria e Kosovës të dëgjojë partnerët tanë ndërkombëtarë, aleatët tanë SHBA dhe BE për shtensionimin e situatës. Duhet të ndalet thellimi i hendekut të qëndrimeve me SHBA e BE sepse pasojat janë vërtet të rënda. Dialogu i lehtësuar nga BE është rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha ministrja.
Ajo këmbënguli se dialogu mes dy shteteve, është e vetmja rrugë që garanton paqe. Xhaçka tha se Shqipëria është e gatshme dhe e angazhuar për të kontribuuar me çdo mjet, dhe me gjithë mundësitë e saj.
“Dialogu Kosovë-Serbi është rruga e vetme drejt paqes, por kjo kërkon guxim. Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar për të kontribuar me çdo mjet e më të gjithë mundësitë e saj. Por jo duke vazhduar në rrugën e përplasjes me të gjithë miqtë e aleatët, sepse nga kjo Kosova nuk mund të dalë kurrë e fituar”, tha ajo.