Këto janë orët e fundit të Sandro Tonalit si një lojtar i Milanit. Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, Giuseppe Riso, agjent i mesfushorit dhe skauti i Newcastle, Steve Nickson sapo kanë përfunduar takimin e tyre në Palazzo Parigi në Milano. Në bazë të të gjitha gjasave, “tymi i bardhë” duket në horizont dhe tani mungon vetëm zyrtarizimi.
Tonali do të kryejë nesër në mëngjes vizitat mjekësore te Newcastle. Sa i takon shifrave, bëhet fjalë për një kontratë 5-vjeçare. Lojtari do të fitojë 8 milionë euro në sezon, ndërsa 80 milionë euro do shkojnë në arkat e Milanit, për një operacion që tashmë mund të konsiderohet i mbyllur. 23-vjeçari luajti 3 sezone te kuqezinjtë. Kujtojmë që ai u transferua në Milano në vitin 2020, nga Brescia.