Pak ditë më parë, UEFA përditësoi të dhënat e skuadrave që janë kualifikuar në Champions, në Ligën e Europës dhe atë të Konferencës. Juventusi u rendit në vendin e shtatë dhe siguroi një biletë për në Europë megjithatë UEFA nuk e kishte përfshirë në listë, duke e korrigjuar 2 orë më vonë për ta shtuar.
Nëse u mendua se është një gabim njerëzor, në Itali kanë një tjetër mendim. Mediat italiane raportojnë se avokatët e Juventusit kanë nisur nga puna dhe kanë shkuar në Nion, aty ku janë takuar në zyrat e UEFA-s me drejtuesit më të lartë. Bardhezinjtë pritet që të pranojnë fajësinë në lidhje me “Fair Play Financiar” dhe në rast se diçka e tillë ndodh, atëherë Juventusi përjashtohet nga Europa.
Bardhezinjtë janë të gatshëm të sakrifikojnë këtë sezon. Fakti që marrin pjesë në turneun më të vogël Europian, i bën që të mendojnë seriozisht dënimin dhe gjithçka të mbyllet këtu. Tashmë, fjalën e fundit do ta thotë UEFA por negociatat mes palëve kanë filluar që Juventusi të mungojë këtë sezon në Europë dhe Fiorentina të jetë skuadra që do ta zëvendësojë.