Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale ka dhënë detaje në lidhje me takimet në lidhje me autoritetet e larta të BE-së ku thekson se ato i kanë konfirmuar se Shqipëria ka bërë progres në rrugën e integrimit.
Rama ndër të tjera është shprehur se tensionet në veri të Kosovës dhe dialogu me Serbinë ka qenë një tjetër çështje e diskutuar në këtë takim, ku deklaron se e rëndësishme në të gjithë këtë është që Prishtina të pranojë uljen në tryezë bisedimesh me ndërkombëtarët.
“Takimet me autoritetet më të larta të Bashkimit Europian ishin një lajm shumë i mirë lidhur me progresin e Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Europian dhe politikën tonë konstruktive rajonale. Por fatkeqësisht në këto takime, ishte tejet brengosës konstatimi i regresit të marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me bashkësinë euro-atlantike. BE-ja e mbështetur nga SHBA ka vënë në Tryezën e Dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, planin më të mirë të mundshëm të normalizimit, i cili paqton më në fund Ballkanin Perëndimor, duke i hapur rrugë edhe njohjes së plotë ndërkombëtare të Kosovës!
Eshtë e pakonceptueshme për aleatët tanë strategjikë, që Kosova vazhdon refuzon të hedhë qoftë edhe një hap të vetëm konkret e konstruktiv për de-eskalimin e situatës gjithnjë e më të rrezikshme në Veriun e Republikës së Kosovës. Kësisoj Beogradi po ia del të fshihet pas mjegullës gjithnjë e më të dendur, që qasja e pashpjegueshme strategjike e Prishtinës po krijon mes Kosovës dhe bashkësisë euroatlantike, sidomos pas lirimit pa kushte nga Serbia të tre policëve të mbajtur fare padrejtësisht, me ditë të tëra, në kushtet e heqjes së lirisë.
Është koha për një konferencë të nivelit më të lartë, të thirrur nga Franca e Gjermania, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, ku të dyja palët të mos ngrihen nga tryeza e dialogut, deri në nënshkrimin e një marrëveshjes së plotë të normalizimit, përfshirë natyrisht edhe dakordësimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet vendosmërisht një forcë që promovon paqen, mbron stabilitetin në rajon, kontribuon për bashkëpunimin rajonal dhe punon pa u lodhur për rritjen e saj të gjithanshme, pa rënë asnjëherë në kurthin ballkanik të së shkuarës, po edhe pa heshtur në asnjë rast përballë shfaqjeve kërcënuese të vetëmjaftueshmërisë sovraniste, nga kushdoqoftë, kurdoqoftë e kudoqoftë, në lagjen tonë të vogël në mes të Europës”, shkruan Rama.