Pas firmës në kontratën që do ta lidhë me Milanin për katër sezone, Marko Sportielo ka dhënë edhe intervistën e parë me fanellën e re. Megjithëse luan prej një dekade në Serinë A, edhe ndjekësit më të ethshëm të futbollit italian dinë shumë pak për këtë portier 30-vjeçar, që te kuqezinjtë zbarkon me petkun e zëvendësit të Menjasë.
Si ndiheni për këtë transferim?
Pas shumë vitesh në Bergamo dhe përvojës në Firence mendoj se kam pjekurinë e duhur. Kam luajtur në disa kategori dhe mendoj se jam në hapin përfundimtar.
Sa i lumtur jeni?
Jam i kënaqur nga ana profesionale, por edhe si tifoz, sepse jam milanist që nga lindja dhe jam rritur në një familje kuqezinjsh. Për mua është një ëndërr që po realizohet dhe jam krenar. Dëshiroj të shpërblej klubin për besimin ndaj meje.
Cili ka qenë idhulli juaj në fëmijëri?
Kur isha i vogël, portieri i Milanit ishte Sebastiano Rosi, kështu që ai ishte modeli im. Më pëlqente mënyra e tij e të qëndruarit në portë. Nuk kishte ndonjë gjë të veçantë që më bëri të zgjidhja rolin e portierit. Më ndihmoi fiziku, isha tashmë mjaft i gjatë si fëmijë dhe prandaj më orientuan drejt këtij roli.
Çfarë mendoni për Majk Menjanë?
Nuk kam nevojë ta them unë. Po flasim për një portier shumë të fortë, një nga më të mirët në botë. Mund të mësoj shumë prej tij, edhe pse jam 31 vjeç. Jam i lumtur që punoj me të dhe me portierët e tjerë.
Po me Piolin keni folur?
Kam qenë një vit me të në Firence. Kam kaluar shumë mirë, ishte një sezon i mirë. Jam ndjerë gjithmonë mirë me të, ka një vlerësim të madh mes nesh. Pioli më ka dhënë shumë, edhe pse punuam vetëm një vit bashkë. Jam i lumtur që do të punoj sërish me të.
Përse keni zgjedhur numrin 57?
5 korriku është data e lindjes së sime bije dhe e bashkëshortes, ndaj prej tyre e bëra një numër timin.
Si mendoni se do të jetë përvoja e një ndeshjeje në “San Siro”?
Në ditën e parafundit të kampionatit luajta kundër Interit në “San Siro”. Dhe mendova pak se ky do të jetë stadiumi im vitin e ardhshëm. “San Siro” është i jashtëzakonshëm, do të jetë emocionuese të luash në këtë stadium.
Keni ndonjë mesazh për tifozerinë?
Tifozë të Milanit, është një nder i vërtetë për mua që jam këtu, ju premtoj se do të jap gjithçka çdo ditë. Ju dërgoj një përqafim të madh.