Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përfundoi vizitën e tij në Turqi, ku u takua me homologun vendas, Erdogan.
Teksa mori mbështetjen e Erdogan për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, Zelensky ndau me ndjekësit e tij në rrjetet sociale dhe lajmin e mirë të rikthimit në Atdhe të 5 komandantëve të Azovstalit.
Rezistenca e uzinës së Azovstalit ishte një ndër beteja që la shenjë në luftën mes Ukrainës dhe Rusisë, ku qindra luftëtarë ukrainas u përballën me forcat ruse, ndonëse të rrethuar.
Në postimin e tij, Zelensky shkruan se po kthehet në Ukrainë me ushtarët ukrainas Denys Prokopenko, Svyatoslav Palamar, Serhiy Volynsky, Oleh Khomenko dhe Denys Shleha.
Ushtarët u liruan nga Rusia dhe u dërguan në Turqi në shtator të vitit 2022 dhe supozohej se do të qëndronin atje deri në përfundimin e luftës, teksa nuk dihet nëse kjo lëvizje do të ketë ndikim në marrëdhëniet Ankara-Kremlin.