Këshilli i Ministrave ka miratuar sot ngritjen e një Task-Forcë të posaçme në fushën e migracionit, të nënshkruar ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë.
Task-Forca do të drejtohet nga zëvendësministri i Brendshëm, përgjegjës për çështjet e migracionit, dhe do të përfshijë zëvendësministra nga ministritë përkatëse, si dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura.
Detyrat kryesore të Task-Forcës përfshijnë:
- Hartimin e një plani të përbashkët veprimi për zbatimin e marrëveshjes;
- Ndjekjen dhe mbikëqyrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme në përputhje me protokollin;
- Koordinimin institucional për përballimin e situatave të paparashikuara;
- Trajtimin e kërkesave të palës italiane dhe marrjen e vendimeve konkrete për zbatim.
Pjesë integrale e Task-Forcës do të jetë edhe një sekretariat teknik, i cili do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve të përfshira. Ky sekretariat do të kujdeset për organizimin e punës, koordinimin ndërinstitucional, si dhe administrimin e dokumentacionit dhe informacionit që lidhet me marrëveshjen.
Task-Forca do të qëndrojë funksionale deri në përfundimin e zbatimit të protokollit dhe do të raportojë çdo muaj pranë Ministrisë së Brendshme për ecurinë e zbatimit të tij.
VENDIM PËR NGRITJEN E TASK-FORCËS PËR ZBATIMIN E PROTOKOLLIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE, PËR FORCIMIN E BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E MIGRACIONIT DHE TË MARRËVESHJES ZBATUESE TË TIJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.20/2024, “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Ngritjen e Task-Forcës për zbatimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, si dhe të marrëveshjes zbatuese të tij.
- Task-Forca ka për qëllim koordinimin, ndjekjen dhe mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes, në përputhje me fushën e përgjegjësisë së institucioneve të përfshira.
- Task-Forca kryesohet nga zëvendësministri i Brendshëm, përgjegjës për çështjet e migracionit, dhe ka në përbërje këta anëtarë:
– Zëvendësministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme;
– Zëvendësministrin e Mbrojtjes;
– Zëvendësministrin e Financave;
– Zëvendësministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
– Zëvendësministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë;
– Drejtorin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
– Drejtorin e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit;
– Drejtorin e Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit;
– Drejtorin e Departamentit për Shërbimet Mbështetëse, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
- Task-Forca ka si detyrë:
- a) të hartojë planin e veprimit, sipas fushave të përgjegjësive të institucioneve të përfshira, si një dokument i vetëm i miratuar;
- b) të evidentojë strukturat, përgjegjësitë dhe detyrimet, në rast të situatave të paparashikuara që lindin gjatë zbatimit të protokollit dhe të marrëveshjes zbatuese të tij;
- c) të garantojë mbështetjen e strukturave të angazhuara me burimet e nevojshme për përmbushjen e përgjegjësive të tyre, në zbatim të protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, si dhe të marrëveshjes zbatuese të tij;
ç) të trajtojë kërkesat dhe çështjet e përcjella nga Ambasada e Republikës së Italisë në Tiranë nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, që lidhen me zbatimin e protokollit dhe të marrëveshjes zbatuese, si dhe merr vendime, të cilat i përcillen për zbatim strukturave përkatëse, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë.
- Task-Forca mblidhet me kërkesë të kryetarit dhe të çdo anëtari të saj, në varësi të çështjes që shtrohet për diskutim, sipas një kalendari takimesh ose sa herë vlerësohet e nevojshme.
- Task-Forca, kur e vlerëson të nevojshme, fton në mbledhjet e saj ekspertë të jashtëm ose përfaqësues nga organizata, që mbulojnë fushën e institucioneve të përfshira, për çështje që janë jashtë profilit të saj dhe opinioni i tyre bëhet pjesë e vendimmarrjes.
- Anëtarët e Task-Forcës njoftojnë kryetarin për çdo problematikë dhe vendimmarrje, sipas fushës së përgjegjësisë.
- Kryetari i Task-Forcës raporton çdo muaj pranë ministrit të Brendshëm për zbatimin e këtij vendimi.
- Task-Forca mbështetet nga sekretariati teknik, i përbërë nga përfaqësues të nivelit të mesëm drejtues dhe/ose të lartë drejtues, i cili ka në përbërje:
- a) përfaqësues të Drejtorisë së Politikave të Migracionit, Azilit dhe Antitrafikut, në Ministrinë e Brendshme;
- b) përfaqësues të strukturës për rendin dhe sigurinë publike, në Ministrinë e Brendshme;
- c) përfaqësues nga Drejtoria Konsullore, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme;
ç) përfaqësues nga Departamenti i Shërbimeve Mbështetëse, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
- Detyrat e sekretariatit teknik janë:
- a) organizimi i mbledhjeve të Task-Forcës, në përputhje me procedurat ligjore të njoftimit për mbledhjet e komisioneve të posaçme;
- b) përgatitja e relacionit për çështjet në diskutim, si pjesë e dokumentacionit që do të diskutohet, dhe koordinimi me institucionet e përfshira në këtë Task-Forcë;
- c) administrimi i dokumenteve të ardhura nga pala italiane dhe paraqitja e tyre Task-Forcës për shqyrtim dhe koordinim të veprimeve të mëtejshme, sipas udhëzimeve të saj;
ç) mbledhja e të dhënave dhe informacionit të ardhur nga anëtarët;
- d) shkëmbimi i informacionit dhe materialeve të mbledhjes midis anëtarëve;
- dh) hartimi i materialeve për kryetarin e Task-Forcës;
- e) mbajtja dhe administrimi i procesverbalit të mbledhjes.
- Task-Forca është funksionale deri në përfundimin e zbatimit të protokollit.
- Ngarkohen titullarët e institucioneve, të përmendura në pikën 3, të këtij vendimi, që brenda 10 (dhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e tij, të caktojnë dhe të dërgojnë pranë Ministrisë së Brendshme emrat e përfaqësuesve të tyre në këtë Task-Forcë, si dhe në sekretariatin teknik mbështetës, sipas shkronjave “c” e “ç”, të pikës 9.
- Ngarkohet Task-Forca për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.