Lumi Buna ndodhet në segmentin fundor jugperëndimor të kufirit shqiptaro-malazez. Ky lumë buron nga Liqeni i Shkodrës, fare pranë qytetit të Shkodrës, ndërmjet kodrës së Kalasë Rozafa dhe Malit të Taraboshit, bashkohet me Drinin dhe derdhet në Adriatik, në plazhin e Velipojës.
E pagëzuar si Amazona e Shqipërisë, lumi Buna dallohet për një faunë dhe florë të pasur dhe është një destinacion turistik i jashtëzakonshëm i kryeqendrës së Veriut.
Mbrojtja e faunës dhe florës së këtij ekosistemi janë bërë pjesë e shqetësimeve të qytetarëve të zonës. Ndryshe nga vitet e para pas 1990, kur pati një vërshim të ndërtimeve të betonizuara, tendenca e viteve të fundit po shkon drejt Eko turizmit.
Drini Xhafa, një i ri që është marrë vazhdimisht me guidat turistike në qarkun e Shkodrës, vendosi 4 vite më parë të angazhohej me sportet ujore në Lumin Buna.
“DRINI TIMES” është siparmarrja e Drinit, i cili fton të apasionuarit e natyrës, lumit dhe sporteve ujore të zhvillojnë aktivitete në lumin Buna.
“Numri i të apasionuarve që kërkojnë të organizojnë sporte ujore ka ardhur në rritje nga viti në vit. Kryesisht janë shqiptarë që kanë udhëtuar nëpër vende të ndryshme, i kanë parë dhe provuar këto eksperienca dhe tani ftojnë miqtë e tyre në lumin Buna apo në liqenin e Shkodrës në këto aktivitete”, u shpreh Drini.
Ai mundohet të bëjë promovimin e këtij aktiviteti, i cili është një aktivitet në harmoni të plotë me natyrën dhe në mbrojtje të ekosistemit të zonës, përmes rrjeteve sociale, Facebook, Instagram dhe Tik-Tok.
Tani në bashkëpunim me një organizatë mjedisore, Drini ka ndërtuar dhe një shtëpi druri, buzë lumit, duke respektuar natyrën për t’i ardhur në ndihmë të gjithë atyre të rinjve që vijnë për të marrë Kanoet dhe Paddle Boards për të vijuar më pas me sportet e tyre ujore.
“Jemi munduar të respektojmë natyrën, ndryshe nga ndërtimet e mëparshme në zonë, ku është bërë një masakër e vërtetë mjedisore për të krijuar një kulturë të re. Kemi marrë shumë vlerësime nga turistët e huaj që këtë vit kanë qenë të shumtë për mënyrën se si jemi sjellë me natyrën dhe lumin Buna. Ne po mundohemi të veprojmë përmes shembullit të mirë në raport me natyrën”, shton më tej Drini Xhafa.
Pak kohë më parë, “Mandarina Project” realizoi një udhëtim turistik me një grup gazetarësh vendas në lumin Buna, me dëshirën dhe nxitjen për të promovuar e eksploruar zonat përreth lumit Buna në kuadër të një fushatë ndërgjegjësuese dhe edukuese për zhvillimin e një turizmi eko dhe të përgjegjshëm. Disa në varka dhe disa duke pedaluar mbi paddle board-et e rreshtuara, gazetarët e nisën udhëtimin nga Shiroka drejt Bunës.
EDU BUNËN, lindi si një nevojë dhe dëshirë e promovimit të Bunës si destinacion, të pasqyrojë bukuritë e rralla natyrore që kjo zonë ofron, t’ju prezantojë me destinacionet më të bukura të saj. Por, ky projekt është shumë më i gjerë se vetëm promovimi i turizmit. EDU BUNËN në thelb të tij synon të edukojë, të udhëheqë vizitorin potencial drejt aktiviteteve eko-miqësore të zonës, të përfshijë dhe të edukojë industrinë promovuese si dhe të ofrojë një ofertë ekoturistike atraktive për turistët vendas e të huaj.
Për këtë arsye promovohen aktivitete që krijojnë të ardhura në lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit lokal, të cilët ofrojnë shërbime dhe produkte në zonë. Duke u nisur nga kjo, pjesë e aktiviteteve të EDU BUNËN në faza të ndryshme të tij janë komunitetet lokale të synuara, operatorët turistikë, institucionet qeveritare, krijuesit etj, secili duke kontribuar në ngritjen e vetëdijes ndaj turistëve dhe publikut të gjerë.
EDU BUNËN nisi me një fushatë të gjerë komunikimi edukuese, për të rritur ndërgjegjësimin lidhur me ekoturizmin, aktivitetet e tij dhe mundësitë për zhvillimin e tij në Zonën e Mbrojtur. Për këtë qëllim u krijua edhe harta turistike me aktivitetetet e mundshme turistike për të nxitur vizitorët, por edhe vendasit të vizitojnë sa më shumë atraksione përgjatë lumit Buna.
Fokusi kryesor i komunikimit të EDU BUNËN është promovimi i vendeve, kulinarisë, historisë, sporteve dhe aktiviteteve që mund të shijoni në Bunë nga peshkimi sportiv, shëtitje, biking, hiking, birdëatching apo edhe shëtitje me varka përgjatë lumit Buna. Promovimi i aktiviteteve është i pandashëm edhe me promovimin e produkteve agrokulturore dhe produkteve të trashëgimisë kulturore të zonës.
Të shikosh natyrën nga rrjedha e lumit Buna është totalisht gjë tjetër, ndaj jua sugjerojmë të gjithëve për ta shijuar si një eksperiencë unike. EDU BUNËN është një projekt i Mandarina Project, një ide origjinale e themeluesit z.Entoni Jubani. Mandarina Project organizatë e cila operon prej më shumë se 18 vitesh në Shqipëri me projekte gjithnjë inovative dhe gjurmëlënëse në fushën e promovimit të territorit, natyrës, artit, sportit dhe turizmit në të gjithë territorin e Shqipërisë.