Të lije Nikolo Barelën në stol në këto dy sezonet e fundit ishte utopike tek Interi. Por këtë herë pikërisht në ndeshjen më të vështirë të tyre përballë Bajern Mynihut, Simone Inzagi pati kurajën të ulte në stol atë që është projektuar kapiteni i ardhshëm i zikaltërve, një zgjedhje teknike kjo dhe një masë e marrë pas atyre paraqitjeve poshtë nivelit me të cilin na kishte mësuar mesfushori.
Fill pas këtij vendimi ka ardhur edhe takimi personal i 25-vjeçarit me teknikun që ia ka bërë të qartë lojtarit se duhet të menaxhojë si duhet energjitë në këtë sezon atipik me Botërorin në mes. Për fatin e keq të italianëve, “Axurrët” nuk do të shkojnë drejt Katarit, një kohë që mund t’i shërbejë Barelës për të rikuperuar të gjitha energjitë e tij dhe për të qenë nga janari një prej të pazëvendësueshmëve të Inzagit.
Por deri në periudhën e Botërorit, trajneri zikaltër dhe stafi i tij po përgatisin strategjinë e tyre për të mos e konsumuar më shumë se ç’duhet motorin e mesfushës. Inzagi po planifikon ta bëjë shpesh pjesë të rrotacionit, të paktën deri në rikthimin e tij në formën maksimale, për të pasur jo thjesht minuta në këmbë, por mbi të gjitha për të pasur kohë efikase.
E SHKUARA – Kur është fjala për minuta, gjendet aty përgjigjja e pyetjeve mbi ngathtësinë që kanë shfaqur muskujt e Barelës. Ngarkesë psikologjike dhe fizike e tejskajshme në dy sezonet e fundit të zikaltërve. Në vitin e titullit nga 9840 minutat zikaltër, Nikolo ka luajtur 8240 prej tyre, pra 84%. Për të qenë më të saktë, në 2020-2021 Barela ka humbur vetëm një ndeshje për shkak skualifikimi ndaj Kaljarit dhe është ulur në stol në ndeshjet e fundit, pasi kishin siguruar titullin.
Në sezonin pasardhës, Barela po ashtu është dorëzuar vetëm ndaj Torinos e Specias për shkak dëmtimi, ndërkohë që për shkak pezullimi humbi sfidat e 1/8-ave të Champions-it ndaj Liverpulit. Duke mësuar nga e kaluara, Inzagi nuk do të përsërisë të njëjtën gjë dhe duket se e ka bindur Barelën që të pranojë ndonjëherë edhe stolin, që mund t’i shërbejë për t’u kthyer edhe më i fortë dhe vendimtar ndeshjen pasardhëse.